E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roshi, Berishës: Mos më kërcëno, nuk ta kam frikën. Kavaja do të të bëjë copash me vota

KAVAJE - Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi i ka kthyer dje përgjigje paralajmërimit të dy ditëve më parë të kryeministrit Berisha për të mos e prekur monumentin historik të “dy gishtave”. Me anë të një deklarate për shtyp, Roshi tha se “meqë nga sheshi i demokracisë m’u drejtove mua personalisht, po të them se ti akuzat personale për kundërshtarët e t’u politikë i ke zakon. Ti kërcënove zoti Berisha se do të bëje copash këdo që do të prekë të ashtuquajturin monument të dy gishtave. Por askush nuk të ka më frikë dhe të garantoj se qytetarët e rrethit të Kavajës, do të bëjnë copash me votë ty që i ke bojkotuar për 23 vjet, në 23 qershor, duke votuar Partinë Socialiste dhe numrin 29 në fletën e votimit”, - u shpreh Roshi. Duke e cilësuar kryeministrit “të painformuar”, kryetari i Bashkisë së Kavajës shtoi mandej se “po të them edhe dy fjalë për të ashtuquajturin monument të dy gishtave në qendër. Projekti i qendrës së qytetit, është projekti më madhor për të cilën kemi punuar gjatë këtyre dy viteve kur ti nuk doje t’i ktheje sytë nga Kavaja. Është një projekt gjigant, prej afro 8 milionë eurosh ku ka një harmonizim të sheshit Demokracia, me godinën e bashkisë, lulishtet, shatërvanët e xhaminë e qytetit. Sa për atë që e konsideron monument dhe për të cilin je tallur prej 23 vitesh, po të them se ai vetëm monument i dy gishtave nuk është”, - deklaroi Roshi. Sipas tij “projekti ynë do të sjellë një vepër akoma më të madhe e më të bukur, që hijeshon pamjen e qytetit, i jep vlerën e vërtetë dhe forcën e duhur zhvillimeve demokratike që nisen nga Kavaja që në vitin 1990 dhe që sigurisht, nuk mund të realizohet me ty kryeministër që ke mbetur akoma me mendësinë e shëtitjes në varkën e bllokmenëve. Ky projekt madhështor, i monumentit historik të demokracisë, do të financohet nga qeveria e PS dhe do të bëhet realitet pas 23 qershorit. Dhe e fundit që po të them doktor, është fakti që takimi yt i fundit me qytetarët e Kavajës do të jetë në datën 23 qershor dhe do të jetë me votë. Pastaj thjesht do të jesh një turist i qytetit të Kavajës që do të shohësh se sa është zhvilluar qyteti që në momentin kur ti e ke lënë qytetin të lirë”, - përfundonte deklaratën e tij për shtyp kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi.

PARALAJMËRIMI
Nga qyteti i Kavajës, ku u prit nga simpatizantë të shumtë që kishin mbushur sheshin, kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dy ditë më parë se mjerë ai që guxon të prekë monumentin historik të Kavajës duke reaguar kësisoj ndaj deklaratave të kryetarit të PS-së, Edi Rama për heqjen nga Kavaja të monumentit simbol të “dy gishtave” kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që u zhvillua më 25 mars 1990. “Ky është sheshi i historisë, monumenti është historik, dhe po ta deklaroj: mjerë ai që do të guxojë ta prekë. Ai do t’u kalojë brezave si dëshmi e burrave dhe grave që bënë historinë e lirisë”, - deklaroi kryeministri. Sipas tij me deklaratat në Kavajë kundër simboleve të lirisë, kreu i PS-së shpalli platformën e urrejtjes ndaj lirive dhe demokracisë.
“Ty që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe shqiptarëve, sikur të imagjinosh një monument të bërë copa, do imagjinosh veten tënde pa këpucë, i zbathur, duke ecur mbi ato copa.” - deklaroi Berisha. Por kryeministri kishte një përgjigje dhe kërkesë edhe për kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, të cilin e quajti ‘Edvini i vogël’. “Ti ngrite akuzën më të tmerrshme dhe krimin më të shëmtuar ndaj forcës sime politike, që mori dhënë; ti u kërkove kavajasve falje dhe bëre mirë, por jo shqiptarëve, dhe pa e bërë këtë gjë nuk do të kesh kurrë mbështetje”, - deklaroi Berisha.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Berisha: Monumenti i Kavajës është historik, mjerë ai që guxon ta prekë Roshi: Monumentin e 2 gishtave do ta heq me helikopter nga Kavaja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›