Ligji “Për Barazinë Gjinore”, Koalicioni shqiptar pro Jetës nesër në protestë. Pano: 30 arsyet ligjore pse nuk duhet dekretuar ky ligj

Koalicioni Shqiptar pro Jetës do të protestojë më 15 nëntor në Sheshin “Skënderbej” kundër ligjit të miratuar pak ditë më parë në Kuvend “Për Barazinë Gjinore”.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri’, pastori Akil Pano deklaroi se Koalicioni shqiptar pro Jetës, në konsultim me juristë shqiptarë dhe ndërkombëtar ka dorëzuar në Presidencë 30 arsye ligjore përse nuk duhet dekretuar ligji.
“Ju siguroj se kemi marrë të gjitha nismat ligjore duke zbatuar Kushtetutën , kemi dërguar propozimet tona në Kuvend, kemi marrë takime me krerët e grupeve parlamentare, më tej kemi pasur konsultime në komisionet përkatëse respektive, ku kemi kërkuar anëtarëve të Kuvendit të mos e kalojë ligjin, pasi në optikën tonë ky nuk është një ligj shqiptar për Shqipërinë dhe shqiptarët, por është një kancer, një trup i huaj që synon të transformojë dimensionin shoqëror, kulturor, gjuhësor, dimensionin e ligjit, familjes dhe fëmijëve. Ky është një ligj antikushtetues.
I kemi dërguar Presidenti një dokument të përpiluar nga juristë shqiptarë dhe ndërkombëtarë mbi 30 arsye ligjore pse ky ligj nuk duhet të dekretohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Pano, ndërsa e cilësoi ligjin si antikushtetues dhe antiligjor.
Pano renditi më tej tri alternativat që sipas tij, ka Presidenti Begaj në lidhje me ligjn “Për Barazinë Gjinore”.
“Ju e dini që presidenti ka tre alternativa përpara; dekretimi i ligjit, pastaj ligji do dalë në fletore zyrtare, pas 15 ditësh do marrë formë të prerë për tu zbatuar; alternativa tjetër është mos dekretimi i ligjit dhe ky projektligj kthehet sërish në parlament dhe anëtarët e parlamentit do e rivotojnë sërish dhe pas rivotimit të dytë nuk do shkojë më te presidenti dhe do marrë formë të prerë; alternativa e tretë presidentit është të heshtë dhe ta lërë ligjin të kalojë në heshtje”, shtoi ai.
/rtsh.al/