Ligji: Prokuroria sekuestron pronat vetëm me indicie
Komisioni i Ligjeve miratoi draftin për krimin e organizuar. Të djathtët sulmojnë Gjykatën e Lartë
TIRANË- Anëtarët e Komisionit të Ligjeve kanë miratuar dje nen për nen draftin e ri të ripunuar nga një grup i posaçëm pune "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar".
Projektligji i ri miratuar dje nga komisioni i ligjeve bënë të mundur që organet e prokurorisë apo organe të tjera shtetërore mund të kërkojnë sekuestrimin e pasurive ndaj të gjithë atyre personave, që jetojnë një kushte të pajustifikuara jetese.
Pra, qëllimi i këtij ligji është pikërisht parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar përmes konfiskimit të pasurive të personave të cilët kanë një standard të pajustifikuar jetese, si rezultat i aktivitetit të dyshuar kriminal.
Megjithatë, dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar vetëm në indicie dhe jo provë. Kështu drafti parashikon konfiskim të pasurisë bazuar në indicie për: a) pjesëmarrje në organizata kriminale ose në grupe te strukturuara kriminale, b) pjesëmarrje në organizata terroriste ose në bana të armatosura, c) kryerjen e veprave të tjera për qëllime terroriste, si dhe kryerjen e krimeve për qëllime të fitimit të pasurive të paligjshme, të gjitha sa më sipër të parashikuara në nene të mirëpërcaktuara nga Kodi Penal.
Përpos faktit se prokuroria mund të kërkojë sekuestrimin e pasurisë bazuar vetëm në indicie, (shenja), drafti nuk ka përgjigje edhe për shqetësimin e ngritur nga deputeti Eduard Halimi se a parashikonte ligji dëmshpërblim të personave të cilëve u sekuestrohej pasuri në rastet kur ata dilnin të pafajshëm, pra në rastet kur ndaj tyre rrëzoheshin dyshimet.
Dispozitat e këtij ligji do të zbatohen edhe ndaj pasurive të personave të afërm si dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes.
Drafti i ri përcakton gjithashtu se në të gjitha rastet e sekuestrove, barra e provës i bie individit, i cili duhet të faktojë se në ç'mënyrë e ka vënë një pasuri të caktuar, qoftë kjo pasuri monetare, ashtu edhe e konvertuar në sende, siç mund të jenë prona, vila, pallate, apo edhe makina. Komisioni hoqi dorë nga amendimi i ligjit ekzistues, pasi nga 40 nene që kishte ai, me projektligjin e propozuar prekeshin 36 prej tyre.
Për këtë arsye, komisioni me këmbënguljen e kryetarit Ilir Rusmajli vendosi që ndryshimet e propozuara ti paraqesë si një draft-ligj të ri, duke rrëzuar plotësisht ligjin e vitit 2004. Për hartimin e këtij drafti të ri u caktua edhe një grup pune pjesëtar i së cilës ishte edhe anëtari i këtij komisioni, Viktor Gumi.
Debati
Ndërkohë, mbledhja u shoqërua edhe me debate mes anëtarëve, ku objekt u bë pikërisht vendimi pwrfundimtar i Gjykatës së Lartë të vitit 2007, sipas të cilit, gjykatat nuk mund të vendosnin sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të personave edhe para se ndaj tyre ishte hapur një procedim penal.
Ky vendim, sipas deputetëve të PD-së, anullonte faktikisht veprimin e ligjit ekzistues. Kështu, deputetët e djathtë, ish-ministri i Punës Viktor Gumi dhe ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, kanë sulmuar ashpër Gjykatën e Lartë, se në mënyrë të padrejtë ajo kishte vendosur që të bënte pazbatueshme atë pjesë të ligjit ekzistues duke mos i dhënë të drejtë gjykatave që të bënin sekuestrime dhe konfiskime të pasurive edhe para hapjes së procedimit penal.
"Besoj që në kuadrin e Kuvendit, ne qëndrojmë në një pozitë komode kur themi pa mëdyshje se do të zbatojmë vendimet e Gjykatës së Lartë. Besoj se vendimi i dhënë unik i Gjykatës së Lartë mund të konsiderohet si një shans i humbur sepse kanë ngatërruar konceptet, kanë ngatërruar procedurat",- tha Gumi gjatë fjalës së tij.
Ai shtoi se, ligji i vitit 2004 nuk ishte ligj i keq, madje i aplikueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Por, sipas Gumit, interpretimi i tij u bë difektoz. "Një interpretim të cilën, ne po përpiqemi ta eliminojmë duke ngritur një bazë të re legjislative",- shtoi ai.
Gumi sqaroi se grupi i punës përmes draftit të ri është përpjekur që të saktësojë gjithçka që lind problematike nga vendimi unik i Gjykatës së Lartë si dhe të harmonizohen ato dispozita, që mund të kishin kontradikta në implementimin e tyre.
Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit, përfaqësuesi i LSI-së Nasip Naço, kërkoi nga kolegët që të heqin dorë nga sulmet ndaj gjykatës, pasi kuvendi nuk mund të gjykojë një vendim të një institucioni të lartë kushtetues, siç është Gjykata e Lartë.