Shtrenjtohen kreditë konsumatore dhe të biznesit
Bankat kanë rritur interesat e kredive. Sa janë shtrenjtuar kreditë konsumatore dhe ato të biznesit në krahasim me vjet
TIRANË- Interesat e kredive në lekë pësojnë rritje nga muaji në muaj. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë muajit shtator 2009, interesat e kredive të lëshuara në monedhën vendase kanë kapur nivelet më të larta të arritura gjatë dy viteve të fundit.
Edhe pse norma e interesit e Bankës së Shqipërisë është ulur dy herë brenda këtij viti, kjo nuk është reflektuar aspak në interesat e kredive që lëshohen nga bankat e niveleve të dyta.
Në raportin e BSH-s rritja më e fortë vërehet në kreditë me afat deri në gjashtë muaj të cilat më së shumti përdoren nga bizneset për kapital qarkullues për shlyerjen e detyrimeve afatshkurtra.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë interesat e kredisë me afat maturimi gjashtë muaj kanë kapur nivelin e 16 për qind. Kjo shifër është 3 për qind më e lartë se muaji gusht i këtij viti dhe 4 për qind më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Të dhënat gjithashtu tregojnë se rritje janë shënuar edhe për llojet e tjera të kredisë në lekë. Sipas bankës, interesat e kredisë me afat deri ne 1 vit u rritën në 13 % nga 12 % qe ishin ne gusht. Trendin e rritjes e kanë ndjekur edhe interesat e kredive konsumatore me afat 1 deri ne 3 vjet. Sipas Bankës së Shqipërisë ato janë shtrenjtuar me 2 % krahasuar me muajin gusht duke arritur në nivelin e 16 %-ve.
Ndërsa interesat e kredisë me afat më të gjatë, nga tre deri në pesë vjet kanë mbetur të pandryshuar krahasuar me gushtin e këtij viti, por në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë rritur respektivisht me dy dhe një për qind.
Dy janë arsyet kryesore që ndikojnë në rritjen e interesave të kredive konsumatore në lekë. E para ka të bëjë me kërkesën e lartë të qeverisë për likuiditete ndërsa tjetra me rritjen e nivelit të kredive të këqija. Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë ky tregues arriti në 9.5 për qind përgjatë muajit gusht 2009 duke bërë që bankat ta gjenin zgjidhjen në rritjen e normave të interesit të kredive.
Në daljet e tij publike Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani i ka bërë thirrje bankave të nivelit të dytë që të kreditojnë sa më shumë ekonominë shqiptare duke e parë si rrugën e më të mirë për minimizimin e efekteve të krizës ekonomike globale.
Edhe gjatë publikimit të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për uljen me 0.5 për qind të normës bazë të interesit për lekun, Fullani theksoi domosdoshmërinë e pasqyrimit të këtij vendimi në nivelet e normave të interesit për kreditë.
Kredia Interesi
6 mujore në lekë 16 %
1 vit " 13 %
1-3 vjet " 16%
5 vjet " 2 %
Sindikatat: Qeveria bëri ligj antikushtetues
SHKODËR - Qeveria shqiptare ka mundur që të marrë brenda 27 sekondash miratimin e ligjit i cili i heq të drejtën e pronave Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Kështu e ka argumentuar Presidenti i BSPSH-së, Gëzim Kalaja, vendimin e marrë nga Parlamenti duke e quajtur atë një akt kriminal.
"Ky është ligji më penalizues, më kriminal, më antiligjor e më antikushtetues që është marrë", u shpreh Kalaja, i pranishëm në mbledhjen e unifikimit të këshillit sindikal BSPSH në prefekturën e Shkodrës.
Ai ka theksuar se i është drejtuar Komitetit të Lirisë dhe Asocimit në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa ka shtuar se çështja do të shkojë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. "Po qe se këto organizma nuk do t'i japin zgjidhje këtij problemi, do të zhvillohen protesta masive në të gjithë vendin", është shprehur Kalaja.
Tjetër çështje të rëndësishme që kërkojnë t'u jepet zgjidhje nga qeveria, janë disa kërkesa të bëra nga BSPSH-ja në kongresin e saj të këtij viti, që lidhen me mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike, i cili do të ndikonte dhe në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera, rritjen e ndjeshme të pagave të punonjësve dhe pensioneve për moshën e tretë, për të ndihmuar në përmirësimin e jetesës së shqiptarëve.