E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpenzimet në fushatë, KQZ kontrollon raportet

Kontabilistët kanë depozituar pranë KQZ-së raportet e shpenzimeve të gjitha partive politike gjatë fushatës elektorale


TIRANË- Të gjitha subjektet politike, që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kanë pranuar të zbardhin fondet e përfituara dhe të shpenzuara gjatë kësaj fushate.


Jashtë afatit kohor, që kishte caktuar KQZ-ja, ekspertët e kontraktuar për të bërë auditimin e financave të partive, kanë mundur që të sjellin të gjitha raportet e hartuara për 34 partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar dje, edhe depozitimin e tetë raporteve të fundit, që nuk ishin paraqitur në kohë nga ekspertët, duke i hapur rrugë tani procesit të verifikimit dhe miratimit të tyre.


Me paraqitjen e raporteve në protokoll, ato do t'i nënshtrohen verifikimit nga drejtoria e financës dhe ajo juridike, njëra për të bërë përllogaritjet monetare dhe tjetra për të parë ligjshmërinë dhe përmbushjen e raportit sipas rregullave, që përcakton Kodi Zgjedhor.


Më pas, raportet sëbashku me relacionet përkatëse të hartuara nga këto dy drejtori, do të kalojnë për shqyrtim në mbledhjen e KQZ-së, e cila ka për detyrë miratimin ose rrëzimin e tyre.


Megjithatë, deri më tani KQZ-ja nuk ka pranuar të bëjë publike asnjë të dhënë për përmbajtjen e raporteve, pavarësisht se qëllimi i gjithë këtij procesi është bërja e transparencës për publikun. Për kontrollin dhe verifikimin e fondeve të përdorura nga partitë gjatë fushatës KQZ-ja ngarkoi 26 ekspertë auditi, ku disa prej tyre do të verifikonin financimet e dy partive. Kështu, financimet dhe shpenzimet e Partisë Demokratike për fushatë i ka kryer studioja "ALB BB Auditing SH.P.K", ndërsa ato të Partisë Socialiste Mihal Ziu, ekspert kontabël anëtar i forumeve drejtuese të IEKA-s.


Çdo subjekt zgjedhor, në bazë të Kodit Zgjedhor, ka pasur mundësi, që për qëllime të fushatës së tyre të marrë fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas (partitë parlamentare kanë përfituar një shumë të konsiderueshme lekësh edhe nga buxheti i shtetit).


Në çdo rast shuma që një person fizik ose juridik ka pasur mundësi t'i ofrojë një subjekti zgjedhor nuk mund të ketë qenë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime, ndërsa ka qenë e ndaluar dhënia e fondeve nga personat, që kanë përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë, që kanë ushtruar veprimtari në fushën e medies, apo ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme. Pikërisht zbatimi i këtyre kritereve ligjore ka qenë objekt i punës së ekspertëve të miratuar nga institucioni qendror i administrimit të zgjedhjeve.


Për këtë qëllim, çdo subjekt zgjedhor ka qenë i detyruar t'i vërë në dispozicion regjistrin e posaçëm me shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit.


Verifikimi i shumave të marra nga personat, që kanë dhuruar më shumë se 100 mijë lekë të reja duhet të ketë qenë më i lehtë për tu verifikuar nga ekspertët përkatës, pasi për të gjitha këto raste veprimet janë bërë nëpërmjet numrave të llogarive bankare, që partitë politike kanë publikuar edhe në faqen zyrtare të KQZ-së.


Detyrë e tyre ka qenë edhe verifikimi i shpenzimeve të kryera nga partitë dhe kandidatët në fushatë. Kodi Zgjedhor përcakton në këtë drejtim se një subjekt zgjedhor nuk mund të shpenzojë më shumë se 10-fishin e fondit të përfituar nga Buxheti i Shteti.


Pronarët kundër projektligjit për zonat turistike

TIRANË- Prej kohësh, pronarët e kanë kundërshtuar projektligjin e diskutuar në Komisionin e Ligjeve, për trojet në zonat turistike. Shoqata "Pronësi me Drejtësi" e ka cilësuar të padrejtë klasifikimin e këtyre trojeve si pronë të shtetit, ndërkohë që, sipas tyre, ato u përkasin pronarëve.


Shoqata "Pronësi me Drejtësi" ka kundërshtuar edhe mënyrën e kryerjes së pagesës, duke theksuar se tokat e pronarëve të vërtetë, të sipërfaqeve që shteti me anë të një ligji në vitin 1993 i ofroi ndaj individëve të ndryshëm me destinacion zhvillimin e turizmit, nuk janë në pronësi të shtetit, pasi nëse do të ishte kështu, për miratimin e këtij ligji, qeveria nuk kishte pse të propozonte shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit "Për kthimin e kompensimin e pronave.


"Nëse këto prona nuk janë të pronarëve por të shtetit atëherë cila është arsyeja që shfuqizohet pika 1/ç e nenit 6 te ligjit për kthimin e kompensimit të pronave. Pra, vetëm kjo gjë shpreh qartë që kemi të bëjmë me troje ku pronar nuk është shteti, por ne", - është shprehur Toro.


Drejtuesit e Shoqatës "Pronësi me Drejtësi" kanë evidentuar gjithashtu se Komisioni i Pronave ka vepruar dhe ka kthyer prona tek pronarët, kurse tashmë kjo pikë shfuqizohet ndërkohë që ka edhe pronarë të tjerë të cilët gëzojnë të drejta të njëjta dhe gjithashtu duhet të përfitojnë nga i njëjti ligj. Pjesë e këtij shqetësimi të ngritur nga pronarët është edhe hapësira e truallit për të cilën personat që janë pronarë të ndërtesës do të paguajnë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›