Turku merr dhuratë 7 dyqane e 2 apartamente
Familja e Ardian Turkut i ka dhuruar deputetit një pasuri të konsiderueshme në qytetin e Elbasanit
Deputeti Ardian Turku ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë që nga viti 2003 për shkak të zgjedhjes së tij si kryetar i bashkisë së Elbasanit. Sipas deklarimit fillestar të bërë në këtë viti, Turku dhe familjarët e tij rezultojnë pronarë të një autoveture me vlerë 50 mijë lekë, një dyqani 52 metër katror i shtëpie banimi 120 metër katror, i një trualli 6400 metër katror dhe një sipërfaqe të mbjellë me ullishta. Për tre të fundit Turku deklaron se janë prona të trashëguara.
Në këtë deklarim ai ka pasqyruar edhe të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes. Nga paga e tij si pedagog në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" dhe të të ardhura nga shitja e librave gjatë këtij viti, Turku deklaron se ka përfituar 2.4 milionë lekë. Ndërsa 8600 euro të tjera deklaron se i ka përfituar nga mësimdhënia jashtë vendit.
Në vitin 2004 Turku deklaron se është bashkëpronar i një pallati shtatëkatësh në Elbasan. Krahas kësaj, ai ka deklaruar edhe të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes, të cilat në total kapin vlerën e rreth 1.8 milionë lekëve. Po ashtu në këtë vit Turku rezulton të jetë pronar edhe i 1.7 milionë lekëve në gjendje KESH.
Në vitin 2005 pasqyrohet një shtim me 300 mijë lekë i gjendjes KESH. Po ashtu ai ka deklaruar edhe tërheqjen nga llogaria bankare i rreth 6 mijë dollarëve. Nga paga e tij si kryetar i bashkisë Elbasan dhe pjesëmarrja në KRT-në e qarkut, Turku ka përfituar në total rreth 1.2 milionë lekë.
Për vitin 2006 Turku ka deklaruar vetëm të ardhurat nga paga tij si kryetar bashkie, pedagog në universitetin A. Xhuvani pedagog në një Universitet Privat, KRT dhe të bashkëshortes të cilat në total kapin vlerën e rreth 2.4 milionë lekëve.
Për vitin 2007 Turku deklaron se i janë dhuruar nga babai dhe xhaxhai disa apartamente dhe ambiente biznesi në një pallat.
Kështu sipas deklarimit të bërë ai është pronar i dy apartamenteve banimi me hapësire 492 metër katror, i 7 dyqaneve me hapësire 258 metër katror dhe të një autoveture me vlerë 500 mijë lekë. Për këtë vit ai ka deklaruar edhe të ardhurat nga paga dhe angazhimet e tjera publike të cilat në total kapin vlerën e 1.3 milionë lekëve.