Ligji i SHISH, tërhiqet Kuvendi

Gjithçka, për miratimin ose jo të ligjit, do të varet nga zhvillimet e sotme politike
TIRANË - Drafti për Shërbimin Informativ Shtetëror i miratuar dy ditë më parë nga Komisioni i Sigurisë pritet që të mos kalojë sot për miratim në Kuvend. Burime nga ky institucion deklaruan dje për gazetën "Shekulli" se të gjitha gjasat janë që ky draft të marrë edhe një konsultë të fundit, për të kaluar më pas për miratim, por jo ditën e sotme, gjatë seancës plenare.
Megjithatë, burimet sqaruan se çdo gjë varet nga zhvillimet politike të ditës së sotme, të cilat natyrisht parashikohet të jenë shumë intensive lidhur me këtë çështje. Aktualisht, Ministria e Drejtësisë po konsultohet edhe me misionin e Bashkimit Europian për sistemin e drejtësisë EURALIUS lidhur me draftin në fjalë.
Ndërkohë, tryeza e djeshme e organizuar nga ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, tregoi qartë qëndrimin në unison të ambasadorëve të huaj të akredituar në Tiranë lidhur me shqetësimin, që ata kishin sa i përket përmbajtjes së këtij drafti. Në të njëjtën kohë, një shqetësim të tillë ka paraqitur edhe vetë NATO-ja, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota.
Pak ditë më parë, qeveria shqiptare mori një letër nga zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi NOS. Kjo zyrë i kërkonte qeverisë shqiptare që projektligji i ri për SHISH-in (para së të miratohet në Kuvend) të kalojë më parë nga kjo zyrë, që përbëhet nga 3 degë: Orientimet e përgjithshme, Inteligjenca për sigurinë dhe Siguria e mbrojtjes.
Nga ana tjetër një aleat i fuqishëm i Shqipërisë në NATO, SHBA përmes Ambasadorit të akredituar në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaroi se drafti i miratuar për ndryshimet e fundit në ligjin për SHISH-in binte ndesh me standardet e NATO-s dhe po e çonte Shqipërinë në rrugë të gabuar. Kundrejt qëndrimeve të njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve, qeveria shqiptare duket se do të ndërmarrë një hap pas, për të vendosur në miratimin e këtij drafti në një kohë të mëvonshme.