Ligji i Dosjeve s’duhet të gjykohet nga ata që i shërbyen diktaturës komuniste
Parlamenti i kërkon zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese, që gjatë shqyrtimit të Ligjit të Dosjeve, të respektojë në mënyrë rigoroze paanësinë dhe të shmangë konfliktin e interesit. Mosrespektimi i principit të shmangies së konfliktit të interesit do të shndërrohej në një cënim të rëndë të parimit themelor të etikës së gjyqtarëve. Shoqëria do të mbetej e lidhur me të shkuarën, në rast se gjykata do ta pezullonte fillimin e zbatimit të Ligjit të Lustracionit
I nderuar zoti Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Përmes organeve të medias jemi informuar mbi kërkesa, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, me objekt shfuqizimin si antikushtetues, të ligjit nr. 10034, datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.
Në të gjitha rastet e shqyrtimit të kërkesave mbi kontrollin kushtetues të ligjeve nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi i Shqipërisë, si palë e interesuar, ka mbajtur qëndrim konstruktiv në dobi të mirëfunksionimit të procesit ligjor të shqyrtimit kushtetues të të gjitha kërkesave të paraqitura. Në çdo rast, Kuvendi ka zbatuar me korrektësi vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Për të pasur një gjykim kushtetues të këtij ligji në përputhje me parimet kushtetuese të një procesi të rregullt ligjor si dhe parimet e gjithë pranuara të së drejtës ju paraqesim, paraprakisht, disa komente të cilat shpresojmë se do të merren parasysh gjatë shqyrtimit paraprak të kërkesave sipas nenit 31 të ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Një nga parimet themelore dhe universale të gjykimit kushtetues në shqyrtimin e çështjeve është paanësia e trupës gjyqësore (Gjykatës). Kjo nënkupton paanësinë e çdo anëtari të saj. Ky parim qëndron në themel të rendit juridik të të gjitha vendeve të botës duke përfshirë rendin juridik të Republikës së Shqipërisë. Një gjë e tillë parashikohet si në Kushtetutën tonë ashtu edhe në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Paanësia do të thotë para së gjithash, që çdo anëtar i trupës gjyqësore në asnjë rast apo rrethanë të mos ndikohet nga asnjë faktor tjetër përveçse ligjit. Në të kundërt do të kishin një konflikt interesi. Një parim i tillë është fondamental dhe universal për çdo gjykatë gjatë dhënies së drejtësisë. Ai i krijon besimin palëve të interesuara dhe më gjerë, se vendimi do të jetë i drejtë.
Për me tepër, në jurisprudencën tonë kushtetuese por edhe ne në atë të Gjykatës së Strasburgut është përvijuar qartë një parim themelor sipas së cilit, drejtësia jo vetëm që duhet të jetë por edhe duhet të duket si e tillë. Për pasojë, një vendim gjyqësor i drejtë, jashtë çdo lloj ndikimi në gjykim, krijon premisat e duhura për besimin e shoqërisë në drejtësinë e dhënë prej tij dhe në terma afatgjatë është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve shtetërore në Shqipëri.
Ligji “Për Organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, në nenet 25, 36 dhe 37 të tij, garanton paanësinë e trupës gjyqësore (Gjykatës Kushtetuese) në shqyrtimin e një çështjeje duke i mundësuar çdo anëtari të kësaj trupe që të ruajë paanësinë e trupës, nëse ndodhet në konflikt interesi në rrethanat e parashikuara nga vetë ligji.
Parimi i paanësisë prevalon kundrejt çdo parimi tjetër, qoftë edhe në rastet kur mund të rrezikohej shkaktimi i pamundësisë për të gjykuar një çështje për shkak të mosarritjes së kourumit për të shqyrtuar çështjen apo për të marrë vendim. Jurisprudenca e Gjykatës Supreme të SHBA na jep shembuj të tillë. Për shkak të konfliktit të interesit në çështjen, “American Isuzu Motors kundër Ntsebeza”, më pak se një vit më parë, katër anëtarë të Gjykatës Supreme të SHBA; Roberts, Alito, Anthony Kennedy dhe Stephen Breyer nuk morën pjesë në shqyrtimin dhe marrjen e vendimit në këtë çështje. Pavarësisht se kjo shkaktoi pamundësinë e krijimit të kuorumit të nevojshëm për shqyrtimin e kësaj çështjeje, Gjykata Supreme e SHBA nuk e shqyrtoi këtë çështje, duke lënë automatikisht në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.
Në rastin e kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkohet shfuqizimi i ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” jemi përballë rastit kur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sipas nenit 3 të ligjit, do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit. Neni 36 pika 1, germa a, e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” parashikon që: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese është i detyruar të heqë dorë nga shqyrtimi i një çështjeje konkrete kur për shkak të lidhjeve fisnore apo lidhjeve të tjera me pjesëmarrësit në gjykim vihet në dyshim objektiviteti i tij”. Në një arsyetim të thjeshtë mund të kuptohet lehtësisht që ai nuk mund të gjykojë një çështje që lidhen drejtpërdrejt me vetë personin e tij. Në këtë rast gjyqtari objektivisht vihet në pamundësi për të gjykuar këtë çështje.
Ligji i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese ka në themelin e tij parimin e paanësisë dhe transparencës së procesit të verifikimit të figurës së funksionarëve shtetëror apo të të zgjedhurve. Për këtë arsye, ligji kërkon shprehimisht respektimin rigoroz të paanësisë dhe mungesën e çdo konflikti të interesit edhe të anëtarëve të trupës gjyqësore që shqyrton këtë ligj (Gjykatës Kushtetuese). Për këtë qëllim personat që kanë mbajtur detyra shtetërore të përcaktuara në nenin 4 të ligjit, nuk mund të shqyrtojnë këtë ligj apo të zbatojnë atë. Ky parim, ndonëse është i inkorporuar në një nen të ligjit, është kushtetues dhe si i tillë, jo vetëm nuk mund të shpallet si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, por duhet të zbatohet edhe nga vetë ajo.
Ligji i kontestuar, në përmbajtjen e tij është i ngjashëm me ligjin nr. 8043, datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”. Ky ligj i është nënshtruar kontrollit kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e cila me vendimin e saj nr. 1, datë 31.01.1996 e ka konsideruar në përputhje me dispozitat kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe aktet e të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Pa dashur të hyjmë në komentimin e përmbajtjes së ligjit apo të kërkesës së paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, pasi një gjë e tillë do të bëhej në një fazë të dytë të shqyrtimit në seancë plenare, theksojmë se ligji i miratuar, në thelb është i ngjashëm me ligjin e miratuar në republikën e Çekosllovakisë dhe më vonë të Çekisë, i konsideruar si kushtetues dhe konform akteve të së drejtës ndërkombëtare nga Gjykata Kushtetuese e këtij vendi si dhe nga vendime të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Nisur nga një pretendim i kërkuesve për pezullimin e zbatimit të ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” gjykojmë se një kërkesë e tillë nuk mbështetet në nenin 45 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Ky ligj nuk sjell pasoja që prekin interesa shtetërorë, shoqërore apo të individëve (subjekteve që iu drejtohet). Për më tepër pasoja të tilla nuk mund të jenë të menjëhershme për të justifikuar shqyrtimin për marrjen e masës së pezullimit përpara se kjo kërkesë të shqyrtohej në Seancë Plenare të Gjykatës Kushtetuese.
As kërkuesit dhe askush tjetër nuk mund të pretendojë se, procesi i verifikimit të subjekteve është antikushtetues dhe si i tillë në vetvete përbën një shkak për pezullimin e tij nga Gjykata Kushtetuese. Transparenca e çdo zyrtari për të kaluarën e tij është detyrimi minimal kundrejt bashkëqytetarëve të tij. çdokush do të kishte të drejtë të verifikonte fakte dhe rrethana që lidhen me të kaluarën e një zyrtari të lartë në vendin tonë. Nëse do të kërkohej të pezullohej ky proces atëherë kjo do të ishte një shkelje flagrante e Kushtetutës.
Ky Parlament në respekt të plotë të autoritetit të Gjykatës Kushtetuese mendon se çdo gjykim i ligjit në mos respekt të principit të shmangies së konfliktit të interesit është një dëm i rëndë për një parim themelor të etikës së gjyqtarëve mbi konfliktin e interesit të përcaktuar në ligjin e Gjykatës Kushtetuese dhe në Rezolutën mbi Etikën Gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, miratuar në 23 Qershor 2008, e cila thekson:
Pika II. Paanësia
“Gjyqtarët duhet të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të paanshme dhe të sigurojnë që kjo paanësi të jetë e dukshme. Ata duhet të kujdesen për të evituar konfliktin e interesit, ashtu si edhe situatat nga të cilat, mund të lindin në mënyrë të arsyeshme konflikt interesi”.
Ju sigurojmë se Parlamenti nuk është kundër gjykimit nga Gjykata Kushtetuese, por situata që me sa duket ndodhet Gjykata Kushtetuese, kërkon të gjejë mënyrën që të gjykojë jashtë konfliktit të interesit, të gjejë instrumentet për sa kohë të dhënat e bëra publike lënë të kuptojnë se ka anëtarë të gjykatës në konflikt të hapur interesi.
Nga sa më sipër paraqesim kërkesën tonë, si subjekt i interesuar me të drejtë ndërhyrje edhe në këtë fazë të procedimit kushtetues për mos ndërmarrë vendimin e pezullimit të efekteve të ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”.
Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Letra e mësipërme nuk ka si qëllim për të ndikuar qoftë edhe në mënyrën më të tërthortë në vendimmarrjen tuaj. Qëllimi i saj nuk është as të rikujtojë për autoritete të jurisprudencës sikundër janë figurat tuaja, parime të shtetit juridike dhe të së drejtës.
Qëllimi i saj është shumë i thjeshtë dhe jashtë çdo insinuate politike. Kuvendi kërkon vetëm të sjellë në vëmendjen tuaj, me dëshirën dhe qëllimin e mirë për të kontribuar në një proces të drejtë vendimmarrjeje në çdo fazë të gjykimit tuaj kushtetues.
Është detyrim madhor i kësaj shoqërie të mbajë qëndrim ndaj krimeve kundër njerëzimit, qëndrim bazuar në standarde ndërkombëtare dhe në ligjet e vendit.
Tema e cila po preket dhe ligji në fjalë është nga më të rëndësishmet e rendit juridik shqiptar, dhe sikundër edhe është përcaktuar në vendet e tjera të Europës lindore është vija përfundimtare e ndarjes mes demokracisë dhe të kaluarës së egër të një sistemi totalitar. Sepse është i një rëndësie të tillë themelore duhet t’i dedikohet vëmendja, ndjeshmëria dhe profesionaliteti më i lartë që posedojmë. Për pasojë konsiderojeni këtë letër si kontribut modest nisur nga përvoja shumë vjeçare e Kuvendit në diapazonin e argumenteve dhe kundër-argumeteve që do të jeni duke shqyrtuar në ditët dhe muajt ne vijim.