E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baraj: TEC-i i Porto Romanos, ndotje masive

Partia Socialiste konstatoi dje se në rajonin Tiranë-Durrës-Krujë, ku shumë shpejt do të përqendrohet gjysma e popullsisë së vendit, do të ndërtohen kapacitetet më të mëdha ndotëse si TEC-e gjigante me qymyr, fabrika çimentoje, rafineri nafte, etj. Sekretari socialist për mjedisin, Besnik Baraj, nënvizoi se kjo nuk është një politikë zhvillimi e qëndrueshme për rajonin e kryeqytetit, që në vijë ajrore distancat nga këto objekte ekstremisht ndotës janë 15-25 kilometra. Partia Socialiste vlerëson dhe mbështet çdo investim, i cili siguron një zhvillim të qëndrueshëm e përmirëson progresin ekonomik, pa kompromentuar kapacitetet ekonomike alternative, si turizmin dhe zhvillimet e tjera rajonale, si dhe cilësinë e mjedisit ku bëhet investimi. "Ne akuzojmë qeverinë ‘Berisha‘ për mungesë transparence, spontanitet dhe mosmarrje të mendimit të komunitetit në të gjitha iniciativat për ndërtimin e TEC-ve dhe fabrikave të çimentove", u shpreh Baraj. Si pasojë e djegies së 11 mijë tonë qymyr në ditë, sqaroi ai, prej oxhaqeve të TEC-it të Porto Romanos, do të lirohen më shumë se 8 milionë tonë gaz karbonik në vit, aq sa prodhohet sot në total në Shqipëri. "Do lirohen okside azoti, squfuri, grimca që qëndrojnë pezul në ajër, të cilat dëmtojnë shëndetin e njerëzve. Sfida nuk është në letër, por në praktikë", tha Baraj. PS konstatoi se sot, në qendër të Durrësit, sipas Institutit të Shëndetit Publik, niveli i grimcave të ngurta që qëndrojnë pezull në ajër është 100 mikrogramë për metër kub, kur norma maksimale e lejuar sipas BE është 40 mikrogramë për metër kub.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›