Topalli: Gjykata Supreme e SHBA, një shembull si gjyqtarët s’marrin në shqyrtim çështje me konflikt interesi

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u bën thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që janë në konflikt interesi, që gjatë shqyrtimit të ligjit të lustracionit në mënyrë përfundimtare të mos marrë pjesë në gjykim. Topalli theksoi edhe njëherë vullnetin e mazhorancës për të mos bërë hapa pas, nga vënia në praktikë e ligjit të dosjeve, duke mos parashikuar përfshirjen për rishqyrtim në asnjë nga axhendat e ardhshme parlamentare.
TIRANE - Mazhoranca nuk do të tërhiqet nga vënia në praktikë e ligjit të lustracionit.
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi dje se axhenda e Kuvendit nuk do të ndryshojë, duke përjashtuar në mënyrë kategorike mundësinë, për rishqyrtimin e ligjit të dosjeve, ndërkohë që të hënën votohen në parlament 5 anëtarët e autoritetit të verifikimit të figurës.
Kryetarja e Kuvendit informoi se parlamenti i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese një letër, ku i kërkon që gjatë shqyrtimit që kjo gjykatë do t’i bëjë ligjit të dosjeve javën e ardhshme, të shmangë në mënyrë përfundimtare konfliktin e interesit.
Në një dalje për mediat, Topalli bëri të ditur se “fakti që vëmendja është te ky ligj i veçantë që lidhet me një kufizim për një periudhe të shkurtër të së drejtës ‘për punësim’, për disa persona që kanë vrarë në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut, është një gjë që mua më bën të mendoj absolutisht anën pozitive të ecjes së Shqipërisë”.
“Axhenda parlamentare është axhendë parlamentare”, deklaroi Topalli.
Kryetarja e Kuvendit pohoi për herë të parë se “letra e parlamentit që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, konsiston në një fakt shumë të rëndësishëm që ne të respektojmë një princip shumë të madh, që e respektojnë të gjitha gjykatat e botës, principin për shmangien e konfliktit të interesit”.
“Domethënë ai gjykatës që është në konflikt interesi nuk mund të marrë pjesë në gjykim. Ne jemi një shtet ligjor, ne respektojmë parimet e shtetit ligjor”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Parimi i paanësisë prevalon kundrejt çdo parimi tjetër, qoftë edhe në rastet kur mund të rrezikohej shkaktimi i pamundësisë për të gjykuar një çështje për shkak të mosarritjes së kourumit për të shqyrtuar çështjen apo për të marrë vendim. Jurisprudenca e Gjykatës Supreme të SHBA na jep shembuj të tillë, thotë ajo. Për shkak të konfliktit të interesit në çështjen “American Isuzu Motors kundër Ntsebeza”, më pak se një vit më parë, katër anëtarë të Gjykatës Supreme të SHBA; Roberts, Alito, Anthony Kennedy dhe Stephen Breyer nuk morën pjesë në shqyrtimin dhe marrjen e vendimit në këtë çështje. Pavarësisht se kjo shkaktoi pamundësinë e krijimit të kuorumit të nëvojshëm për shqyrtimin e kësaj çështjeje, Gjykata Supreme e SHBA nuk e shqyrtoi këtë çështje, duke lënë automatikisht në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit”.
Për sa u takon ndryshimeve që ka pësuar vendi vitet e fundit, Topalli pohoi se “Shqipëria nuk është në krizë, Shqipëria ka një rritje ekonomike si asnjë vend tjetër në skenën botërore, Shqipëria po mbyll procesin e ratifikimeve dhe në prill të jemi në Strasburg, Shqipëria po ndryshon”, nënvizoi ajo.
Ligji i lustracionit duket se tashmë po merr një trajtë më të qartë sa i përket zbatimit dhe kushtetutshmërisë së tij. Letra e Kuvendit që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kërkon nga kjo e fundit që të respektojë principet bazë të etikës Gjyqësore dhe të përjashtojë nga procesi i gjykimit të gjithë ata gjyqtarë që bien në konflikt interesi me ligjin e dosjeve.