Qeveria ndryshon rregulloren e burgjeve

Në rregulloren e re parashikohen ndryshime rrënjësore në drejtim të trajtimit të të dënuarve mbi mënyrën e qëndrimit të tyre në izolim duke humbur disa të drejta
TIRANE- Këshilli i Ministrave Miratoi dje ndryshimin e Rregullores së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve duke e plotësuar me disa shtesa të reja rregulloren e miratuar po prej saj vitin e kaluar.
Rregullorja u publikua dje nga qeveria në faqen e saj zyrtare on line, ku specifikoheshin në mënyrë të detajuar ndryshimet e miratuara prej saj, sa i përket mënyrës së funksionit të burgjeve në Shqipëri, të administratës së saj dhe të të burgosurve. Ndryshimet kanë prekur kryesisht aspekte të jetës së të dënuarve dhe të jetës së tyre brenda burgut, sigurisë së tyre dhe sigurisë së këtyre institucioneve.
Në disa prej shtesave Qeveria sanksionoi se të dënuarit, nuk mund të qëndrojnë në një institucion paraburgimi, në të cilin kanë lidhje krushqie, gjinie apo farefisnie me funksionarë të ndryshëm apo personelin e burgut.
Po kështu nuk do të pranohen edhe të dënuar të cilët kanë konflikte apo mosmarrëveshje me të dënuar të tjerë të cilët ndodhen në Institucionin e riedukimit ku shkon një i burgosur i ri.
Po kështu janë parashikuar penalizime të natyrave të ndryshme më të ashpra për ata persona që shkelin rregullat e funksionimit të burgut. Kështu në nenin 15 ku bëhet fjalë për mbërritjen e një të dënuari të ri, shtohet pika e katërt në të cilën thuhet se një i burgosur i sapoardhur
"4. Në rastet kur evidentohet dhe shënohet në librin e Komisionit të Pritjes se i burgosuri i sapoardhur ka konflikt apo mosmarrëveshje me të burgosur të tjerë ose ka lidhje gjinie a krushqie me personelin e institucionit, menjëherë merren masa për transferimin e tij në një institucion tjetër."
Më tej në nenin 17, ku thuhet se çfarë i lejohet dhe çfarë jo një të burgosuri, janë shtuar, shkronjat gj, dhe h, në pikën nr.2. Në këtë mënyrë veç ndalimit për sende dhe elementë që përbëjnë krim, në vendimin e rregullores së re ndalohet mbajtja më shumë se një televizori, një frigoriferi, apo sende të tjera në një dhomë.
Po kështu, nuk do të lejohet mbajtja e televizorëve dhe mjeteve të tjera të informimit në ambientet e paraburgimit. Në këtë mënyrë duket se autoritetet synojnë bllokimin e marrjes së informacionit për të paraburgosurit që janë ende nën hetim nga autoritetet e prokurorisë apo policisë.
Vlerësimi i të burgosurve
Në lidhje me sjelljen e të burgosurve të cilët mund të përfitojnë nga vlerësimi pozitiv i saj, në vendimin e djeshëm të saj, qeveria ia ka hequr të drejtën e dhënies së vlerësimit titullarit të institucionit, si dhe të drejtën që ai të ishte pjesëtar i Komisionit të Vlerësimit të Sjelljes.
Në këtë mënyrë vlerësimi i sjelljes së një të burgosuri, i është caktuar si kompetencë Komisinit të Vlerësimit të Sjelljes, i cili drejtohet nga zvëndësdrejtori i burgut apo institucionit dhe ka në përbërjen e tij një edukator të burgut, një psikolog.
Kjo është e parashikuar në nenin 44 të rregullores, në pikën e parë të të cilit thuhet: Komisioni i Vlerësimit të Sjelljes të të burgosurve ngrihet në burg dhe ka në përbërje zëvendësdrejtorin e, përgjegjësin e sektorit të kujdesit social, edukatorin e grupit, specialistin e regjimit të brendshëm dhe juristin".
Në pikën e dytë Thuhet se kundër vendimit të Komisionit mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve tek drejtuesi i Institucionit".
Familja
Një tjetër, ndërhyrje në rregulloren e vitit të kaluar e kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, është edhe ajo që ka të bëjë me familjen.
Në këtë mënyrë në listën e pjesëtarëve të familjes thuhet se pjesëtarë të saj do të konsiderohen, nëna babai, fëmija, motra vëllai. Pjesëtarët e tjerë të tij, sipas rregullores së re nuk do të quhen pjesëtarë të familjes pavarësisht se ata mund të jenë pjestarë familjes në çertifikatën familjarë. Kjo sipas rregullores së re, bëhet për raste fatkeqësish gëzimesh familjare, kur i dënuari ka të drejtë të kërkojë leje për të shkuar pranë familjes së tij.
Neni 5
Njohja e të burgosurit me të drejtat dhe detyrimet
1. Çdo të burgosuri i bëhen të ditura të drejtat dhe detyrimet e tij që rrjedhin nga ligji, kjo rregullore dhe rregullorja e brendshme e IEVP. Për këtë qëllim nga administrata e IEVP, i vihen në dispozicion aktet e nevojshme ligjore e nënligjore.
2. Për të burgosurit që nuk dinë shkrim e lexim, komunikimi i akteve bëhet me gojë nga personeli përkatës.
3. Të burgosurit që nuk dinë gjuhën shqipe, i vihen në dispozicion këto akte në një gjuhë që ai e kupton.
"Të burgosurit e mitur kanë të drejtë të takohen me familjarët dhe të marrin ushqim prej tyre 8 herë në muaj.".
Neni 15
Komisioni i pritjes
Pika 4
4. Në rastet kur evidentohet dhe shënohet në librin e Komisionit të Pritjes se i burgosuri i sapoardhur ka konflikt apo mosmarrëveshje me të burgosur të tjerë ose ka lidhje gjinie a krushqie me personelin e institucionit, menjëherë merren masa për transferimin e tij në një institucion tjetër."
Neni 17
Pika 2 shtohen
Ndalohet mbajtja e
gj) televizorëve në mjediset e paraburgimit;
h) më shumë se 1(një) televizori dhe frigoriferi për çdo dhomë në mjediset e vuajtjes së dënimit.".
Neni 44
4.Komisioni i Vlerësimit të Sjelljes
1. Komisioni i Vlerësimit të Sjelljes të të burgosurve ngrihet në IEVP dhe ka në përbërje zëvendësdrejtorin e IEVP-së, përgjegjësin e sektorit të kujdesit social, edukatorin e grupit, specialistin e regjimit të brendshëm dhe juristin.
2. Kundër vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Sjelljes mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve te drejtori i IEVP-së.".
Neni 49 shtohet
Pika 8. Konsiderohen shkelje të rënda disiplinore:
Mbajtja, përdorimi dhe qarkullimi i sendeve të ndaluara
Në nenet 52 dhe 53, emërtimi "Komisioni Disiplinor" zëvendësohet me "Këshilli Disiplinor".
Neni 52/1
Ankimi kundër vendimit të Këshillit Disiplinor
1.Kundër vendimit të Këshillit Disiplinor, i burgosuri ka të drejtë të paraqesë ankim brenda 15 ditëve, pranë Komisionit të Apelimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
2. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Komisionit të Apelimit përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.".
8. Pas nenit 55 shtohen nenet 55/1 dhe 55/2, me këtë përmbajtje:
8. Pas nenit 55 shtohen nenet 55/1 dhe 55/2, me këtë përmbajtje:
"Neni 55/1
1. Në zbatim të nenit 7, të ligjit nr.8328, datë 16.4.1998, "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve", të ndryshuar, në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të institucionit të vuajtjes së dënimit me burgim, me urdhër të ministrit të Drejtësisë ndaj të burgosurve mund të zbatohet njëra nga masat e parashikuara në nenin 55/2, të kësaj rregulloreje.
2.Gjendja e jashtëzakonshme e institucionit mund të shkaktohet nga:
a) forca madhore, e cila paraqet një situatë natyrore të pazakontë e të paparashikuar, që vë në rrezik administrimin dhe menaxhimin e institucionit dhe mund të cenojë jetën dhe shëndetin e të dënuarve.
b) kryerja e punimeve të rëndësishme në institucion, që, në këtë rast, nënkupton një vëllim të madh punimesh, që ndikon në administrimin dhe menaxhimin normal të institucionit.
c) një situatë e rrezikshme a që përbën një kërcënim serioz, që ndikon ose mund të ndikojë drejtpërdrejt apo tërthorazi, në jetën apo shëndetin e të dënuarve dhe që, në bazë të të dhënave të besueshme, rezulton se nuk mund të përballohet brenda kufijve normalë të menaxhimit e të administrimit të institucionit, që rrjedh nga:
I) sjellje të rrezikshme të shfaqura nga i burgosuri gjatë vuajtjes së dënimit dhe që e bëjnë të pamundur qëndrimin e tij në atë IEVP;
II) lidhjet dhe përkatësia e të burgosurit në organizata kriminale, organizata terroriste, banda të armatosura apo grupe të strukturuara;
III) lloji dhe rrethanat e veprës penale të kryer;
IV) përhapja e sëmundjeve ngjitëse/epidemike.
3. Drejtuesi i institucionit dhe në mungesë të tij zëvendësi, kur vërtetohet njëra prej situatave të gjendjes së jashtëzakonshme, njofton menjëherë ministrin e Drejtësisë dhe drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve.
4. Nëse gjendja e jashtëzakonshme e institucionit është shkaktuar nga një situatë urgjente, e cila mund të përkeqësohet, atëherë drejtuesi i institucionit dhe në mungesë të tij zëvendësi, mund të vendosë kufizimin e të drejtave dhe, jo më vonë se 24 orë, të marrë për këtë miratimin e ministrit të Drejtësisë.
Neni 58
Procedurat për takimet me familjarët të afërmit dhe miqtë
shtohet
"5. Kur vizitori tenton të fusë sende sipas pikës 4, drejtori i IEVP-së ndalon takimin e të burgosurit me këtë vizitor për një periudhë nga 3(tre) deri në 12(dymbëdhjetë) muaj.".
"Të burgosurit të mitur i lejohet korrespondenca telefonike 16 (gjashtëmbëdhjetë) herë në muaj.".
"Me anëtarë të familjes të së burgosurit nënkuptohen nëna, babai, fëmijët, motra, vëllai, bashkëshorti/ja.".
15. Në nenin 70 bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa e të burgosurit duhet të jetë e argumentuar dhe e shoqëruar nga dokumentacioni përkatës.
Në raste të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes së të burgosurit kërkesa duhet të shoqërohet me raportin mjekësor të familjarit të sëmurë ku vërtetohet gjendja e rëndë shëndetësore e tij. Në rastet e ngjarjeve të rëndësishme familjare si vdekje, lindje apo martesa kërkesa duhet të shoqërohet me me dokumentin zyrtar që provon vdekjen, lindjen apo martesën.
c) Përgjegjësi i sektorit të sigurisë dhe përgjegjësi i kujdesit social përgatisin, brenda ditës nga data e marrjes së urdhrit, një raport të përbashkët, të hollësishëm, i cili shpjegon dhe dokumenton lidhjen e ngushtë familjare të të burgosurit me personin e sëmurë rëndë, të vdekur, të lindur ose të martuar, kohëzgjatjen e vuajtjes së dënimit, lejet e kryera më parë, respektimin e kësaj rregulloreje e të rregullores së brendshme të IEVP-së, rrezikshmërinë dhe besueshmërinë që paraqet i burgosuri lidhur me qëndrimin e tij jashtë institucionit, pjesëmarrjen në programe rehabilituese, që zhvillohen në institucion, çdo të dhënë tjetër që ka të bëjë me të burgosurin, si dhe propozimin e argumentuar të miratimit apo të refuzimit të lejes së veçantë dhe të ditëve që duhet të marrë i burgosuri, si leje e veçantë.".