Ligji i legalizimeve rihap debatin në Kuvend për përmirësimin e tij në disa nene
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ktheu dy ditë më parë për rishqyrtim në Kuvend ligjin për disa shtesa dhe ndryshime në draftin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i miratuar në parlament mes debatesh, më 10 prill 2008. Ndryshimet e propozuara nga qeveria në këtë ligj, i paraqitur në Kuvend në fillim të këtij viti, synojnë kalimin e më shumë kompetencave Agjencisë së Legalizimeve, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), duke e shndërruar këtë të fundit nga një strukturë bashkërenduese, në një strukturë ekzekutive të kualifikuar. Ndryshimet në këtë ligj shmangin rreth 70 procedura administrative, të lidhura me ndryshimin e regjimit të tokës dhe destinacionit të përdorimit të saj. Shqyrtimi i këtij ligji në Kuvend u shoqërua me kundërshtime nga opozita dhe nga deputetë të PR-së, të cilët votuan kundër tyre. Qëndrimi kundër i grupit parlamentar republikan konsistonte në faktin që ndryshimet e propozuara në tërësi binin ndesh me standardet dhe konceptet kushtetuese për garantimin e së drejtës së pronës dhe të shpërblimit të pronarëve për të gjitha trojet që iu shpronësoheshin, për nevoja të formalizimit të ndërtimeve të paligjshme. Ndërsa opozita i kundërshtoi ndryshimet e qeverisë, pasi sipas saj “ligji i kalon kompetencat që ka pushteti vendor në proçesin e legalizimit, ALUIZNI-t, duke shkelur parimin e decentralizimit”. Ndërkohë, procedurat parlamentare në rastet e rikthimit në Kuvend të një ligji, parashikojnë që kryetari i Kuvendit ta kalojë atë menjëherë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht. “Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda tetë javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe sipas rastit edhe nene për propozime të veçanta të ligjit”, thuhet në pikën 2 të nenit 86 të rregullores së Kuvendit. Ligji për “legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” u miratua nga parlamenti më 16 shkurt 2006 vetëm me votat e mazhorancës parlamentare, pasi opozita e majtë e kontestoi projektin e propozuar nga qeveria, që gjatë diskutimit në komisione. Rreth një muaj më vonë, më 17 mars 2006, ish-Presidenti Alfred Moisiu e riktheu edhe një herë për diskutim në Kuvend ligjin në fjalë, me pretendimin se ai binte ndesh me disa nene të Kushtetutës. Në seancën plenare të 3 prillit 2006 Kuvendi miratoi dekretin e Presidentit Alfred Moisiu “për rishqyrtimin nga parlamenti” të këtij ligji.