E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikat e Edvinit shkaktojnë kriza xhelozie në kampin e Metës dhe Koçit

Zhvillimet e fundit politike në kampin e majtë politik, kanë hyrë në një orientim tërësisht absurd dhe abstrakt për mënyrën sesi Rama dhe Meta po lëvizin brenda të ashtuquajturve stratagjema politike të reagimit dhe kundër-reagimeve të ashpra ndërmjet njëri-tjetrit. Megjithëse marrëveshjet politike ndërmjet tyre tashmë janë grisur, për shkak të cënimit të interesave të Edvinit, nga ana tjetër Meta duket se ka zgjedhur rrugën e sabotimit të koalicionit të majtë, me synim nxjerrjen bllof të ylberistëve të Partisë Socialiste, të cilët kanë nisur edhe një mësymje në vend kundër politikës së vjetër dhe ideimit të një politike të re, për të cilën as vetë Rama nuk jep detaje dhe nuk argumenton se në cilat caqe po shkon. Prishja e marrëveshjeve politike në opozitë dhe skarciteti që po përjetojnë partitë e saj, po stimulohet nga PS, duke parashtruar tezën e pabazë se do të jenë fitues të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, nëpërmjet një bashkimi të ri dhe të madh. Simbioza pushtetare e Ramës nuk njeh kufij dhe në mënyrë hermafrodike po theksohet se kreu i LSI-së, pa mëdyshje do të bëhet pjesë e lojës së dështuar të tij, megjithëse ndërmjet dy partive të opozitës ekziston një hendek i thelluar prej kohësh dhe që vazhdimisht mercenarë të të dy partive penetrojnë me silurime të ndërsjella. Kësisoj, ndërmjet dy poleve të së majtës ekziston edhe një dilemë, për bashkëpunim ose jo, megjithëse thirrjet mediatike nuk vlejnë për një hap real, por mbeten në caqet e një bashkimi ylberist, të cilët shprehen prej kohësh për një zhvillim të tillë, e që kjo vazhdon të mbetet në kufijtë e misteriozitetit. Rama shprehet për një bashkim të ri, pa specifikuar se cfarë përfshin në të. “Bashkimi i i ri, është një nocion i gjërë, është një nocion i trajtuar dhe i hedhur në mjedisin publik nga ne, qysh në shtatorin e shkuar. Është nocioni bazë i Dialogut me Shqipërinë, është filozofia e një politike, që nga duart e politikanëve, duhet të shkojë në duart e qytetarëve. Që nuk duhet të mbrojë interesat e një grushti politikanësh, por intersat e gjitha grupimeve shoqërore, duke mbrojtur qytetaret e qytetarët e këtij vendi, pikërisht për një Shqipëri për të jetuar me punë të ndershme. Është një nocion i kapërcimit të politikës së vjetër të pazareve të vogla dhe i daljes në hapësirën e madhe të dialogut me Shqipërinë e qytetarëve në qytet e fshat, për çështjet e jetës, që kanë të bëjnë me punësimin, që kanë të bëjnë me arsimimin, prodhimin, luftën emancipuese kundër papunësisë, varfërisë, dhunës, injorancës, korrupsionit, që ka të bëjë më gjithçka, ku politka është mison për të ndryshuar, mision për të transformuar, por është hapësirë për të bashkëjetuar dhe bashkëpunuar, si dhe, që ka të bëjë me dosmodoshmërinë për t’u ndarë nga 17 vjet politikë interesash të politikanëve, dhe për t’i hapur rrugë një politike, ku është qytetari, është familja shqiptare, janë komunitetet që përbëjnë fokusin dhe njëkohësisht qëndrën e gravitetit”, tha ai.
Pra, me termat e tij dhe në përpjekje e sipër për të krijuar një holli të tipit filozofik, kryesocialisti, e sheh veten të rrezikuar dhe me këtë rast vetëm një bashkim mund të sjellë shpëtimin e tij, por nuk dihet se në ç’kontekst do të jetë ky bashkim, megjithëse teoria e tij e veprimit është të mbledhë sa më shumë mercenarë të LSI-së për në ngrehinën socialiste. Edhe teoria e letrave të hapura, nuk po jep asnjë sukses në opozitë, madje më tepër kjo po përdoret si shprehje e mërzisë dhe skarcitetit ideor të liderëve të partive respektive dhe pamundësia e tyre për t’u bërë ballë zhvillimeve reale politike, por zgjedhin të fshihen pas letrave të natyrës maoiste, duke thelluar edhe më tepër krizën politike brenda së majtës dhe krijimin e destabilitetit politik në vend. Kësisoj, Rama nuk është i interesuar për një bashkim në aspektin politik të partive politike, por për një bashkim të mbështetësve dhe simpatizantëve të LSI-së me PS-në. Hap dy që në mënyrë formale nuk do të pranohet nga Meta dhe kësisoj, debati i ashpër politik do të intesifikohet drejt një beteje akoma edhe më reale.
Meta dhe Koçi, xhelozë për konstruktivitetin e Ramës/Koherenca e kryesocialistit Edi Rama në mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese dhe reformave të mëdha në tërësi, duket se ka xhelozuar jo pak kreun e LSI-së, Ilir Meta dhe deputetin e sapolarguar nga grupi parlamentar i PS-së dhe njëherazi drejtuesi i Lëvizjes për Politikë Institucionale Petro Koçi. Në të njëjtën linjë me lidershipin e LSI-së, ky i fundit ka bërë thirrje dje për protesta masive në mbështejte të LSI-së për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese. Deputeti Koçi ka dalë hapur dje “pro” nismës së LSI-së për mbrojtjen e ndryshimeve kushtetuese edhe përmes protestash që pritet të nisin në datën 10 të këtij muaji. Kjo lëvizje, e lindur nga diversiteti në PS, ka shprehur dje indinjatën e saj të thellë për përfshirjen e grupit të parlamentar të PS-së në grushtin e shtetit që kryeministri Sali Berisha dhe kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama ndërmorën ndaj kushtetutës, shtetit ligjor dhe demokracisë në vend. “Lëvizja jonë e pandashme nga socialistët dhe flamuri socialist, distancohet prerazi nga ky akt i shëmtuar politik që rrëzoi arritjen më të madhe të sakrificës së socialistëve në këta 17 vjet pluralizëm”, tha ai. Në këtë aspekt, deputeti Koci, po parashtron politikën e tij kundër kryesocialistit dhe me këtë rast po përpiqet të dalë në krah të Metës për mbrojtjen e kushtetutës së vendit, e cila u amendua dy javë më parë në 4 pika të saj. Megjithëse edhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të kthejë mbrapsht miratimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, eksponentë të caktuar të politikës shqiptare, po përpiqen të bëjnë evidente gjithnjë e më tepër politikën e masivizimit të popullsisë si shprehje të pakënaqësisë së tyre. Por kjo nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me këtë cështje, pasi me ndryshimin e sistemit elektoral u hodh poshtë fenomeni i dushkut dhe deformimi i vullnetit të zgjedhësve dhe elektorati ndjehet më i çliruar, pasi tani e tutje do të ketë nivel tjetër përfaqësimi në Kuvend.  Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›