E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afera me tritolin pranga në Ministri

Korrupsioni me dhënien e licencave për firmat e tregtimit të lëndëve plasëse është bërë shkak për arrestimin e një drejtori të Ministrisë së Mbrojtjes dhe komandantit të Brigadës së Furnizimit pranë Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Trazhgim Sokolaj

Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes dhe një kolonel i Forcave të Armatosura u arrestuan dje, pasi kanë dhënë licenca kundrejt ryshfetit, duke u mohuar të drejtën kompanive të tjera që përmbushin kriteret ligjore. Me urdhër të Njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, policia arrestoi dje Shkëlzen Madanin, Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes. Zyra e Shtypit e Prokurores së Përgjithshme, tha se ai akuzohet për veprën penale "korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike". Në të njëjtën kohë ka rënë në prangat e policisë edhe Kadri Suli, me detyrë Komandant i Brigadës së Furnizimit në Strukturat e Forcave të Armatosura, me gradë kolonel. Ai akuzohet se ka kryer veprat penale "korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike" dhe "shpërdorim detyre". Bashkë me dy zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës urdhëroi arrestimin e Aurela Çotës, përfaqësuese e shoqërisë "Nitromak Albania" sh.p.k., e cila akuzohet për "korrupsion aktiv të personit që ushtron funksione publike" dhe Ferdinand Hodo, administrator i Shoqërisë "Geoconsult" sh.p.k. i akuzuar për veprën penale "korrupsion aktiv i personit që ushtron funksione publike" dhe "ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike".
Operacioni
Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, pasi kishte filluar hetimet katër muaj më parë, mëngjesin e djeshëm ka dërguar në Gjykatën e Tiranës kërkesat për miratimin e arrestit ndaj të dyshuarve për korrupsion. Gjykata ka vlerësuar se Task-Force pranë prokurorisë, kishte siguruar prova të mjaftueshme për arrestimin e zyrtarëve dhe menjëherë ka miratuar kërkesat e dorëzuara nga njëri prej prokurorëve të antikorrupsionit në kryeqytet. Urdhrat menjëherë i kaluan për ekzekutim shërbimeve të Policisë së Tiranës, e cila ka realizuar arrestimin e katër të hetuarve. Dy prej tyre, konkretisht drejtori i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtaraku i Forcave të Armatosura, janë ndaluar pranë ambienteve të tyre të punës. Operacioni është koduar me emrin "Nitromak", duke iu referuar njërës prej firmave që në mënyrë korruptive kishte siguruar licencë për transportin, magazinimin dhe trajtimin e mallrave ushtarake, konkretisht të lëndëve eksplozive. Menjëherë pas arrestimit, katër zyrtarët janë dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku janë vendosur në qeli të ndara nga njëra-tjera dhe janë marrë në pyetje nga prokurorët e çështjes.
Korrupsioni
Hetimet mësohet se kanë filluar në muajin janar 2008, pas një materiali kallëzues që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka referuar pranë Zyrës Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Burimet nga kjo e fundit konfirmuan dje se i gjithë procesi i hetimit është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Policisë së Shtetit. Gjatë këtyre hetimeve janë provuar disa raste kur zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, kanë dhënë licenca për kompani të ndryshme për trajtimin, transportimin dhe magazinimin e mallrave ushtarake, konkretisht lëndë eksplozive tritol. "Gjatë hetimeve janë dokumentuar raste kur të arrestuarit kanë dhënë licenca për firma të caktuara kundrejt përfitimeve financiare të paguara në formën e ryshfetit. Hetimi ka zbuluar edhe raste të tjera kur firmat që kishin kërkuar të pajiseshin me licencë nuk e kanë përfituar padrejtësisht një gjë të tillë, edhe pse përmbushnin kërkesat dhe kushtet ligjore të përcaktuara", thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, personat përgjegjës për dhënien e licencave kanë qenë Shkëlzen Madani, drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, më parë shef i Drejtorisë Ekonomike në këtë institucion dhe koloneli Kadri Suli, Komandant i Brigadës së furnizimit pranë Forcave te Armatosura. Ndërmjetësi i tyre për marrjen e ryshfetit nga firmat që kërkonin të pajiseshin me licencë, sipas hetimeve ka qenë Ferdinand Hodo. Ai përfaqësonte subjektet që bënin kërkesë për licencë dhe u premtonte zyrtarëve dhënien e shumave të majme të ryshfetit në rast të lëshimit të licencës për tregtim eksplozivi. Firma "Nitromak", e cila kishte përfituar një licencë të tillë, pasi e mori këtë dokument ka kryer transport tritoli në sasinë 450 tonë, me anije nga Turqia në Durrës për llogari të kompanisë "Bechtel-Enka", e cila kryen punimet e rrugës Durrës-Kukës.

Të arrestuar

Shkëlzen Madani, Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes
Kolonel Kadri Suli, Komandant i Brigadës së Furnizimit në Strukturat e Forcave të Armatosura
Aurela Çota, Përfaqësuese e shoqërisë "Nitromak Albania" sh.p.k
Ferdinand Hodo, Administrator i Shoqërisë "Geoconsult" sh.p.k

Akuzat
1. Shpërdorim detyre
2. Korrupsion i personave që ushtrojnë funksione publike
3. Ushtrim i paligjshëm i ndikimit të personat që kryejnë funksione publike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›