Ligji i ri për Aftësinë e Kufizuar, nis sot konsultimi
Ministria e Punës nis sot konsultimin paraprak me grupet e interesit për hartimin e Ligjit për Aftësinë e Kufizuar. Pas nënshkrimit të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KPDPAK), në dhjetor 2009, qeveria shqiptare po punon për ratifikimin e saj. Në këtë kuadër, qeveria ka planifikuar të hartojë një Ligj të ri për Aftësinë e Kufizuar si dhe të bëjë ndryshimet e nevojshme në legjislacionin ekzistues. Ministria e Punës, e ngarkuar të drejtojë procesin e ratifikimit të Konventës, do të organizojë sot me mbështetjen teknike dhe financiare të projektit të UNDP-së “Promovimi i të Drejtave të Aftësisë së Kufizuar në Shqipëri, Program Mbështetës për Konventën për të Drejtat e Personave më Aftësi të Kufizuara” (SPC), sesione konsultimi paraprak për organizatat e shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë të interesuar. Sesionet e konsultimit paraprak synojnë të sigurojnë pjesëmarrjen e organizatave të shoqërisë civile, përfshirë organizatat e personave me aftësi të kufizuara, në procesin e hartimit të Ligjit për Aftësinë e Kufizuar si dhe të mbledhin nga pjesëmarrësit inpute mbi çështjet për t’u trajtuar dhe rregulluar përmes ligjit të ri.