Ligji i ri shkurton kohën e shërbimit dhe lehtëson biznesin në punën e tij
Komisioni i ligjeve kalon me kompromis projektligjin për regjistrimin e pasurive
Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administrative miratoi dje me votat e opozitës dhe mazhorancës, projektligjin për regjistrimin pasurive të paluajtshme. I pranishëm në diskutimin e neneve të këtij projektligji ishte Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi i cili u shpreh në parim se ky projektligji synon të rregullojë veprimtarinë e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në këtë projektligj realizohet dixhitalizimi i veprimtarisë së ZRPP-së, i cili përfshin dixhitalizimin e të gjithë të dhënave të administruara në zyrën e regjistrimit të veprimtarisë gjatë regjistrimit fillestar duke mundësuar dhe verifikimin on-line nga institucionet publike/subjektet private të gjendjes së një prone të regjistruar në ZRPP, pas pajisjes së këtyre të fundit me kodet respektive të sigurisë. “Ne kërkojmë të reformojmë plotësisht sistemin e regjistrimit me qëllim te qartë për të ofruar një shërbim më të mirë për qytetarët, më të mirë për biznesin. Ne synojmë që nëpërmjet këtij ligji, dhe gjithë paketës së akteve ligjore dhe nënligjore të shkurtojmë kohën që qytetarëve u duhet për të marrë këtë shërbim, të lehtësojmë dhe biznesin në punën e tij, si promotor i zhvillimit të ekonomisë së vendit”, deklaroi ministri Halimi Projektligji gjatë hartimit të tij ka marrë miratimin e grupeve të interesit dhe vjen në kuadër të reformimit të drejtave të pronësisë, përmirësimit në nivel kombëtar të shpërndarjes së shërbimeve, eficencës dhe transparencën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pritet që projektligji të miratohet përfundimisht në Parlament gjatë muajit mars.
...