E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Është momenti që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit në BE”

20-03-2012 / Gazeta 55

Ilir Meta nis një vizite dy ditore ne Slloveni


Në kuadër të një vizite pune në Slloveni me ftesë të Fondacionit Ndërkombëtar për Studimet Ballkanike IFIMES, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi disa takime ne Parlamentin Slloven, me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për BE, Roman Jakiç, me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate Janko Veber si dhe me Kryetarin e Partisë “Pozitivna Slovenija”, Zoran Jankovic. Gjatë takimit me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për BE-në, Roman Jakiç, Ilir Meta pasi bëri një prezantim të prioriteteve kryesore të LSI-së, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen në vite të Sllovenisë ndaj Shqipërisë, veçanërisht për rolin pozitiv që luajti në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Tashmë, tha Meta, ka ardhur koha që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit, duke pasur parasysh edhe përmirësimin kohët e fundit të dialogut politik mes forcave politike në Tiranë. Ndërkohë, Jakiç tha se Sllovenia do vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit drejt integrimit evropian, duke theksuar se zgjerimi i BE-së nuk duhet të ndalojë me Kroacinë, dhe se një rajon tërësisht i integruar do të garantonte stabilitet afatgjatë. Në këtë kontekst, Jakiç vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin tepër konstruktiv të Shqipërisë në rajon, duke theksuar se në momente kyçe në vendet fqinje, siç ishte rasti i Marrëveshjes se Ohrit, Shqipëria ka ditur të kontribuojë pozitivisht në mbarëvajtjen e paqes dhe stabilitetit. Kreu i LSI, Ilir Meta tha se Shqipëria është shumë e interesuar në stabilitetin rajonal si një prioritet që përputhet plotësisht me interesat tona kombëtare dhe me vizionin për të ardhmen. Meta e ftoi kryetarin e Komisionit Parlamentar për BE, Roman Jakiç të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen e afërt. Gjatë takimit me Kryetarin e Grupit Parlamentar te Social Demokrateve Janko Veber, Meta vlerësoi rolin pozitiv të Partisë SD ndaj Shqipërisë dhe Kosovës duke nënvizuar se integrimi evropian mbetet prioriteti kryesor i Shqipërisë. Në këtë drejtim, tha ai, LSI është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me social-demokratët e Sllovenisë si dhe me forcat e tjera progresiste evropiane, në interes të të ardhmes së përbashkët në Evropë. Veber theksoi se për Social Demokratët, bashkëpunimi më i afërt mes vendeve dhe forcave politike në rajon është shumë i rëndësishëm dhe se Sllovenia është një aleate e fuqishme e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Mbështetja jonë në BE nuk do t’ju mungojë, tha Veber, duke shprehur mbështetjen e partisë së tij për marrjen e statusit të kandidatit të Shqipërisë. Gjithashtu, Meta u prit edhe nga Kryetari i Partisë “Pozitivna Slovenija”, Zoran Jankoviç, ish Kryetar i Bashkisë së Ljubljanës, njëkohësisht kandidat për rizgjedhjen në këtë post. Meta dhe Jankoviç diskutuan mbi rëndësinë që forcat pozitive politike kanë në rajon si dhe për kontributin e të rinjve në politikë. Në këtë kuadër, Meta u shpreh se vendet e Ballkanit kanë nevojë për sa më shumë forca progresiste e pozitive që shprehin vizonin e të rinjve për të ardhmen. Duke e përgëzuar për rezultatin e arritur prej forcës së tij politike gjatë zgjedhjeve të fundit, Meta i shprehu Jankoviç, vlerësimin për kurajon dhe energjinë pozitive që ka treguar gjatë fushatës elektorale, si dhe gjatë punës së tij në krye të Bashkisë së Ljubljanës. Në këtë drejtim, ai nënvizoi se edhe LSI, e ka në zemër të saj konstruktivitetin dhe pozitivitetin jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe më gjerë, përmes politikes së saj rajonale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›