Ligji në miniaturë dhe madhështia e politikës
Nga: Bruno Rexhaj
Ligji përpilohet për të gjithë njësoj por ndryshon për të varfëritkishte thënë në një kohë dhe vend tjetër J.Hernandez, atëhere kur jehona e kësaj aforizme lehtësisht i përshtatej shoqërive feudaliste, ku skllavopronarët kishin tagrin e Zotit ndaj pronës të tyre, robërve. Sot, parimisht kjo thënie lapidare nuk duhet të ketë asnjë lidhje me shtetet që kanë demokraci të konsoliduar. Sepse në demokracitë e përparuara themeli i funksionimit të shtetit ligjor është sundimi i ligjit dhe barazia para tij, dhe kurrësesi nuk mund të mendohet një interpretim tjetër në formën e strukturimit të shtetit. Larg tendencës për të demonizuar thelbin e çështjes, padashje të vjen në mëndje paralelizmi që mund të heqim mes këtij citati dhe aktualitetit të sotëm, sesi qëndron një raport i tillë mes qytetarëve përballë ligjit. Mbase nga realiteti i injektuar në qelizat e kësaj shoqërie më mirë do i rrinte përshtat antipodi i këtij togfjalëshi Ligji përpilohet për të gjithë njësoj por ndryshon për të pasurit që aktualisht tingllon aq bukur, dhe hijeplotë përligjë sjelljen arrogante të neofeudalistëve pushtetarë, që fryjnë muskujt përballë kujtdo, madje shpesh herë edhe ndaj vetë ligjit. Në Shqipërinë tonë të dashur, çdo ditë e më tepër nëpër, sa në sallonet mediatike, e sa në kosheret politike promovohen vlerat dhe parimet demokratike që normalisht edhe unë si gjithë të tjerët jam i prirur ta besoj, se shteti ku unë jetoj është ndërtuar dhe qëndron mbi funksionalitetin e qeverisjes së mirë, dhe mbi të gjitha një shtet ligjor që ekzistencën e qenies së tij e ka ngushtësisht të lidhur me sundimin e ligjit. Mbase jo rastësisht kronikat informuese nga përditshmëria televizive pasqyrohet një realitet i shtetit, që imagjinoj se i përkas, ku hera-herës me bën të dyshoj mbi marrëdhënien që kam me kohezionin, sepse nga ana tjetër çdo ditë e më tepër hasem me bëmat që dalin lakuriq nga abuzimet pushtetarëve dhe sidomos devotshmërinë e ligjit për tju nënshtruar politikanëve. Rrjedhimisht krijohet një dualizëm kontravers, për faktin se nuk ka dy të vërteta dhe realiteti është një e i vetëm. Nuk janë të rralla rastet kur dëgjojmë se një minister, deputet, kryetar bashkie/komune, apo funksionarë të tjerë, madje nganjëherë kapërcehet çdo kufi, ku familjarë e fisnor të tyre me kapadaillëk e sfidojnë ligjin dhe shtetin në shumë aspekte. Trishtueshëm më duhet ta përtyp faktin që shteti, qytetar i së cilit jam ka marrë trajtën e një aparati që të gjithë duket se janë kurdisur dhe po e përmbushin me sukses misionin e zhvatjes së çdo grahme të kësaj republike. Mbetje të shoqërisë, njerëz të keqbrumosur që koha i ka parashutuar si me buton në zenitin politik, ku nga pasurimi marramendës direkt pas ardhjes në pushtet i jep komoditetin të vetëmbajnë titullin aristokratë, ndërsa më poshtë krekosen oligarkë që synojnë aksesin dhe monopolizimin e majës së piramidës, dhe në dysheme zvarriten kleptokratë që orvaten për të gllabëruar nektarin në çdo hoje të shtetit dhe diku në skutat e qilarit shtetëror sahanlëpirës të tepricave buxhetore që babëzitshëm hapin gojën nga buzëfshirja e pushtetit, të japin përshtypjen e organizimit perfekt të një bande bukanierësh të legjitimuar politikisht. Brenda smokingut të shndritshëm imunizohet sjellja e një funksionari të lartë ndaj çdo ligji, asfiksimi deri në agoni i sistemimit gjyqësor, emërimet që tejkalojnë edhe nocionin e nepotizmit, lulëzimi i korrupsionit në çdo hallkë të pushtetit, na kanë mundësuar bashkëjetesën me këto dukuri si akte normale dhe bekime nga Zoti, madje ndër dhëmbë e pranojmë që janë të domosdoshme për shoqërinë tonë, ku gjithmonë shkaqet pse ndodhin arsyetohen me togfjalshin e famshëm se Shqiptar jemi dhe çdo gjë mund të ndodhë sepse jetojmë në Shqipëri. Zallmahia shtetërore e sajuar, pa kursim po përdor kamxhikun harrakat që fshikullon në çdo qelizë sistemin e gjyqësor, që si për ironi të fatit edhe ai i përulet dënueshëm dhe kërkon mëshirë ndaj pushtetit të kriminalizuar dhe gangsterr. Neofeudalët e epokës moderne kanë neutralizuar shtyllën kurrizore të shtetit dhe e shtrëngojnë atë sa herë që ai tenton tu prish ekuilibrat pragmatiste të interesave, kjo përkthehet në nënshtrimin ndaj tyre jo vetëm të shtresave të varfra por edhe të organeve që janë kompetente për ruajtjen dhe garantimin e sigurisë, dhe rrjedhimisht hallkat gjyqësore detyrimisht janë njësuar dhe rrinë gati-tu ndaj pushtetit dhe shërben si mekanizëm meskin në duart e politikanëve. Fatkeqësisht pikënisja e këtij pseudotranzicioni Shqiptar është mbarsur jo në mënyrën e duhur, ku sendndërtimit shtetëror i mungon busulla dashamirëse për formimin e një vendi me klimë të pastër politike, mungesa e demokracisë funksionale, abstraksioni i shtetit ligjor dhe agonia e sistemit gjyqësor kanë bërë që të gjithë ne, qytetarët e kësaj republike, shoqëria civile dhe çdo kush që jeton në këtë vend të pajtohet heshturazi me forcat mbi natyrore që udhëheqin shtetin tonë. Duke parë rolin e rëndësishëm që luan ligji në rregullimin e sjelljes sociale, askush nuk mund ta vërë në dyshim se ai ka një peshë të jashtëzakonshme politike. Pavarësisht kësaj, pyetja mbi marrëdhënien aktuale dhe të dëshirueshme midis ligjit dhe politikës, duke reflektuar natyrën e ligjit dhe funksionet e shtrirjen e tij, ka provokuar polemika të shumta. Shumë nga ajo që ne kuptojmë mbi ligjin rrjedh nga teori të ndryshme, këto teori e përshkruajnë ligjin si garanci thelbësore për ekzistencën e qytetëruar dhe dorëzanë për mirë rregullimin e marrëdhënieve shoqërore, kjo qasje i ka rrënjët nga zanafilla e iluminizmit që zellshëm e promovonte Jean-Jacques Rousseau në kryeveprën e tij Kontrata Sociale. Në mungesë të shtetit dhe një sistemi ligjor, pra një gjendje natyrore, çdo individ është i lirë të abuzojë ose të kërcënojë individët e tjerë. Kështu që roli i ligjit është të mbrojë çdo anëtar të shoqërisë nga anëtarët e tjerë, duke parandaluar cenimin e të drejtave dhe lirive të tyre. Prandaj edhe ligji është mbi politikën dhe duhet mbajtur një ndarje e rreptë midis ligjit dhe politikës, për të parandaluar që ligji të favorizojë shtetin në dëm të individit, të pasurin në dëm të të varfëritë, të fortin në dëm të të dobëtit, burrat në dëm të grave, të bardhët në dëm të zezakëve e kështu me radhë. Ky është shkaku, pse theksohet kaq shumë autoriteti universal i ligjit, i mishëruar në parimin e sundimit të ligjit. Prandaj këndvështrimi në fjalë ka gjithashtu implikime që e komprometojnë thellë sistemin gjyqësor, detyra e të cilit është vetëm të interpretojë ligjin dhe të gjykojë midis subjekteve në konflikt, si palë e tretë dhe pa interesa mbi procesin. Këtu lind domosdoshmëria që gjykatësit duhet të jenë të pavarur, në kuptimin që ata duhet të jenë mbi ose jashtë mekanizmit të qeverisjes dhe jo subjekt i influencës politike. Për të krijuar një shtet ligjor, më përpara duhet të familjarizohemi me një nocion të tillë derisa të bëhemi gati ta përvetësojmë. A jemi gati ne për ta ndërmarrë këtë hap? Një përgjigje e paskrupullt mundohet të justifikohet ende me tranzicionin si fenomen, ndërsa faktet janë shumë kokëforte dhe flasin ndryshe, realiteti Shqiptar fatkeqësisht ka instaluar dylbitë miope ndaj këtij modeli të funksionimit shtetëror. Shembujt janë nga më pozitivët nëse ndjekim perëndimin, vende në të cilat demokracia është kthyer në kult besimi. Natyrisht që në këtë pikë sna e ka fajin askush, madje as politikanët, sepse çdo popull meriton qeverinë që ka ndërsa këtij citati vrullshëm do ti kundërvihej Roussoi me tezen e tij se çdo qeveri ka atë popull që e krijon prandaj gabimet duhen nxjerrë tek vetja sepse një popull edukohet vetëm atëherë kur qeveriset mirë. Por përderisa do ekzistojë dakordësia, që me çdo të keqe qe ndodh në vendin tonë, unë duhet të pajtohem se jetoj në Shqipëri dhe kurrsesi smund të bëhet më mirë, atëherë jo vetëm praktikisht por edhe parimisht do shuhet ideja se politika duhet ti bindet ligjit dhe jo përkundrazi. E ndërsa koha xhiron në harresën kalimtare, i madhi Konica do ndihej mese krenar në qoftë se ne, në të sotmen e tashme apo të nesërmen e ardhshme ti thyejmë kumtin ogurzi që ai e