“Ligji nuk lejon referendum pas muajit mars”

Referendumi, juristi Çlirim Gjata akuzon shoqërinë civile për falsifikimin e firmave
“Vendimmarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte ligjore. Ajo që nuk u pati aspak seriozitet në kërkimin e referendumit dhe mbrojtjen e kauzës kundër importit të mbetjeve është shoqëria civile”.
Kështu shprehet juristi Çlirim Gjata, i cili analizon se ligji nuk lejon mbajtjen e referendumit, pasi ka kaluar muaji mars i vitit, ndërkohë që shoqëria civile në këtë muaj dorëzoi firmat të cilat detyrimisht duhet t’i nënshtrohen procesit të verifikimit. Një fakt që e ul edhe më fort seriozitetin e shoqërisë civile sipas Gjatës është se mblodhi firma duke konsumuar veprën penale të falsifikimit.
Nga ana tjetër, përcaktimet ligjore për referendumet Gjata i cilëson të vjetra dhe të vakëta.
Siç pohon juristi Çlirim Gjata, kjo është ajo çfarë në mënyrë tërësisht ligjore vendosi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për referendumin e kërkuar kundër të të ashtuquajturit import të plehrave. Në mars as nuk mund të konceptohej një vendimmarrje e KQZ-se, kur vetë shoqëria civile firmat i dorëzoi në këtë muaj. KQZ i verifikoi sipas detyrimit ligjor ato dhe ditën e parë të punës të vitit 2013 e dorëzon kërkesën në Gjykatë Kushtetuese.
Dhe ndërsa në media dhe opinionin publik komentohet vendimmarrja e KQZ-së, askush nuk diskuton për veprën penale të konsumuar me nismën e shoqërisë civile atë të falsifikimit të firmave për referendumin.
Po ky nuk është i vetmi problem i shoqërisë civile. Nuk është hera e parë që mbërrijnë kërkesa për referendum në KQZ, por ajo që shoqëria civile nuk e ka menduar asnjë herë është pikërisht mundësia e ndryshimit të përcaktimeve ligjore për referendumet.
Deri sa përkufizimi ligjor mbetet ky, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë do ta zbatojë. Në këto kushte akuzat mbeten abuzive dhe politike e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i qetë pas vendimmarrjen së tij teknike e ligjore për të dërguar në Kushtetuese kërkesën më 3 janar 2013.
Kostot e mbajtjes ose mos-mbajtjes së referendumit i mbledhin nismëtarët e tij dhe mbledhësit e firmave që në mungesë të plotë serioziteti e respekti për kauzën dhe për ligjin, nuk e patën për gjë të falsifikojnë një pjesë të mirë të tyre.