SHENIM/ Dritëro, Luli e mbajti fjalën tënde për të korra të mbara!
Edhe pse i sëmurë rëndë (agjencia i uron shërim të shpejtë), shkrimtari i madh Dritëro Agolli reagon për situatën e krijuar së fundmi. Veçanërisht për ironinë e anashkalimit nga akademikët shqiptarë pranë qeverisë të akademikut Rexhep Qosja për 100 Vjetorin e Pavarësisë, ku nuk është ftuar pse ka sharë Berishën. Por ndërsa Agolli kritikon këtë vendim, duke vlerësuar Qosen, nga ana tjetër hesht për të korrat e mbara të benjaminit të tij, Lulzim Basha. Por meqenëse Kadare e kritikoi kryebashkiakun, Agolli i skalitur me frymën e rivalitetit, i dha urime për të korra të mbara. Fiks në muajin korrik kur u legalizua me kurbanin te dera e bashkisë. Dhe në fakt Luli ia plotësoi dëshirën shkrimtarit. Të korrat ishin të frytshme madje. Rriti taksat e bizneseve të vogla. Vërtet hoqi 60 tarifa dhe i beri tre, por ua ngopi tregtarëve me hile, ashtu siç dhe e ka zakon. Afroi kunatin dhe menjëherë pedonales i vuri emrin e tij me qofte dhe birra e kioska që i shiste nga 3 mijë euro, ato të Megatek-ut që ka bashke me Fazlliçin. Më tej bëri përshesh sheshin Skënderbej, ku hodhi në erë 4 milion euro dhe është nën hetim për abuzime nga prokuroria. Tha se do jepte hipoteka, por nuk dha asnjë sot e kësaj dite. Tirana vijon të përmbytet vazhdimisht, kurse infrastruktura është copë-copë. Përpos kësaj vete jep leje pallati me 16 kate mu në zemër të ambasadave. Rrafshon një pyll të tërë historik te Parku i Liqenit pa leje e vendim bashkie, pa firmë e vule, për ti shërbyer klientëve të vet. Jep konviktin e nxënësve për Irfan Hysenbelliun. Në krahun e Botanikut rrafshoi çdo gjë vetëm të ndryshonte projektin e Unazës së Re sepse ashtu i interesonte për klientët e qeverisë. Bëhet fjalë për ata që paguan 50 milion euro më 8 maj dhe tani duan ti zëvendësojnë duke bërë kurban Bashën. Dhe Agolli po e perëndon jetën e tij me mbi 80 kokrra, duke pare mrekullitë e kryeqytetarit Lul, që të parin vë qytetarin injorant të Tiranës. Më mirë se kaq, këtu e një vit më pas, nuk mund të kishte të korra të mbara Basha, sidomos pas urimit nga shkrimtari Agolli.
