Ligji për Gjykatën e Lartë,shtyhet sërish mbledhja

Komisioni Parlamentar i Ligjeve
TIRANE- Ka dështuar edhe tantativa e katërt e Komisionit të Ligjeve brenda këtyre dy muajve për të miratuar nen për nen disa ndryshime të ligjit për Gjykatën e Lartë.
Pas debateve mes perfaqesuesve te opozites dhe maxhorances, mbledhja u shty per diten e neserme, ndersa opozita e ka braktisur sallen.
Në rendin e ditës, pika e parë ishte pikërisht drafti i ardhur nga qeveria, i cili duhet të ishte diskutuar ditën e enjte, por u shty për shkak të mungesës së opozitës.
Kreu i Komisionit, Ilir Rusmajli dhe deputeti i PS-se, Fatmir Xhafaj shkëmbyen mjaft replika. Xhafaj kërkoi qe te merren parasysh propozimet e PS-se, ndersa e ka cilësuar draftin e paraqitur nga qeveria te mangët dhe sipërfaqësor.
Komisioni i Ligjeve po vazhdon mbledhjen pa pranine e opozites me pikat e tjera te rendit te ditës, diskutimi i ligjit për nëpunësin civil, i cili kërkon shumicë të cilësuar votash, si dhe ligji i ri për administratën publike.
Deputetët socialistë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve votuan pro në parim ligjin për Gjykatën e Lartë që në muajin korrik. Por ata kërkuan që miratimi nen për nen i tij të vijë pasi të diskutohen dhe të miratohen propozimet e PS për ndryshimet kushtetuese, që do të përcaktonin mënyrën e re se si do të zgjidheshin anëtarët e Gjykatës së Lartë, përmes votimit me shumicë të cilësuar.