E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozohet derdhja e kontributeve si taksë më vete

18/05/2010 Hana: Niveli i derdhjes së sigurimeve shëndetësore në vend është i ulët

Përfitimi i shërbimeve pa kosto kushtëzohet nga skema e kontributeve

Pavarësisht se buxheti i shëndetësisë vit pas viti ka pësuar rritje skema e kontributeve mbetet ende në nivele të ulëta, çka nuk lejon dhënien e shërbimeve shëndetësore në nivelin e duhur për pacientët. Shkak për këtë bëhet pagesa e ulët e kontributeve, që për vendin tonë llogaritet të jetë më e ulëta në të gjithë rajonin. Kështu, përfitimet nga skema e sigurimeve kanë ardhur në rritje, ndërsa pagesa e kontributeve shëndetësore mbetet në masën 3.4 për qind për të punësuarit dhe 7 për qind për të vetëpunësuarit. Lidhur me këtë problem në një aktivitet të zhvilluar gjatë ditës së djeshme drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shëndetësore Elvana Hana është shprehur se “Shëndetësia është në një gjendje mjaft të vështirë, në qoftë se do ta krahasojmë atë me vendet rreth e qark. Që ne të mund të financojmë një shëndetësi kontemporane, duhet edhe financimi të jetë siç është në vendet e rajonit”, - është shprehur ajo. Pjesa relativisht e ulët e të ardhurave që vjen nga kontributet lidhet më faktin se përqindja e kontributit shëndetësor ndaj totalit të të ardhurave të punonjësve është mjaft e ulët. Për të dalë nga ky rreth problematik i është propozuar qeverisë që kontributet shëndetësore të shkojnë nëpërmjet një takse për shëndetin. “Një nga propozimet që kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë në të ardhmen është rritja e peshës së kontributeve shëndetësore. Ne kemi propozuar që kontributi shëndetësor që derdh qytetari të mos përfshihet në taksat e përgjithshme, por të jetë zë më vete në buxhetin e shtetit, pasi në këtë mënyrë do të bëhej transparent shërbimi shëndetësor që do të përfitonte kontribuuesi”, - ka shtuar Hana.

Kontributet e sigurimeve shëndetësore te ne financojnë rreth 10-11 për qind të totalit të shpenzimeve për shëndetësinë, buxheti i shtetit rreth 37-38 për qind dhe pjesa tjetër financohen nga vetë individët apo burime të tjera. Përfaqësues të biznesit që merrnin pjesë në këtë aktivitet të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë u interesuan lidhur me sigurimet private. Në këtë drejtim, sipas Hanës, synohet që të krijohet një paketë bazë shërbimesh në sektorin publik (sikurse është me parësorin, shumë shpejt do të jetë dhe me shërbimin spitalor), paketë e cila do të jetë transparente dhe e njëjtë për të gjithë popullatën në çdo cep të vendit. “Ne synojmë të forcojmë sektorin publik duke rritur si aksesin e shërbimit, ashtu dhe cilësinë e tij nëpërmjet lidhjes së punës së mjekut me pagesën. Sa i takon sektorit privat, mbi këtë paketë bazë shërbimesh mendojmë se ka hapësira për futjen e sigurimeve private lidhur me shërbime ekstra, hoteleri më të mirë apo përzgjedhjen e një mjeku të caktuar etj.", - ka përfunduar Hana. Megjithatë, i siguruari nuk mund të përfitojë një lloj të caktuar shërbimesh, siç janë vizitat dhe mjekimi te shërbimi dentar, pajisja me syze optike dhe vizitat, konsultat dhe shërbimet e tjera në sektorin privat.

Rimbursimi

Mbulimi i plotë i rimbursimit të shërbimeve jepet për veteranë lufte, invalidë lufte, invalidë të plotë (sëmundjen), fëmijë 0-12 muaj, pensionistë, të sëmurë me TBC dhe Ca, jetimët, të verbrit. Raste të veçanta, si: talasemia, skleroza multiple, transplantet renale, deficit i hormonit të rritjes etj., kategori të cilat përfitojnë falas të gjitha barnat e rimbursimit. Ndërsa mbulimin nga 50-100 për qind e përfitojnë fëmijët nga 1–14 vjeç.

Nxënës dhe studentë, gra me leje lindje, të papunë, asistencë, ndihmë ekonomike, të paaftë mendor, fizik, invalidë të pjesshëm, ushtarë dhe të siguruar vullnetarë.

Vizitat

Personat e përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore përfitojnë: kujdesin për rastet urgjente, të drejtën e zgjedhjes së mjekut, vizitën falas pranë poliklinikave, barnat e rimbursuara nëpërmjet recetës, vizitën në banesë kur gjendja e të siguruarit nuk e lejon atë të paraqitet pranë qendrës. Bazuar në sistemin e referimit, pacienti përfiton vizitën pa pagesë te mjeku specialist, konsulta, ekzaminime laboratorike dhe imazherike falas në sistemin publik të shërbimit parësor, dytësor, tretësor, shtrimin dhe trajtimin në spital pa pagese si dhe ekzaminimet unikale terciare me rekomandim sipas niveleve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›