Ligji për makinat, fondi që përfiton çdo deputet
Në ndarjen e fondit për deputetët, Kryetarja e Kuvendit bën diferencime. Favorizon deputetët e Shkodrës, që janë më afër Tiranës kundrejt atyre të Beratit
TIRANË- Përcaktohet masa e parave, që do të marrë çdo deputet për shërbimin e transportit. Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje në mbrëmje propozimin e deputetëve Viktor Gumi, Gent Strazimiri, Florion Mima dhe Paulina Hoti për përcaktimin e masës së përfitimit financiar, që i takon çdo të zgjedhuri nga populli, si fond shtesë për lëvizjen me makinat e tyre apo me mjete të tjera të transportit privat.
Në referencë të ligjit të sapo miratuar "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nënpunësit civilë", çdo deputet nuk do mund të ketë më mjete transporti të vëna në dispozicion nga Kuvendi, por në këmbim, ai do të përfitojë një kuotë fikse mujore, e cila do të jetë e ndryshme për deputetë të zonave të ndryshme zgjedhore.
Kështu, një parlamentar i zgjedhur në Tiranë apo Durrës do të marrë vlerën më të ulët prej 37 mijë lekësh, ndërsa deputetët e qarqeve Dibër dhe Gjirokastër do të përfitojnë 57 mijë lekë, por duke ruajtur që në total masa e kompensimit për të gjithë deputetët mesatarisht nuk duhet të kalojë 45 mijë lekëshin, që përcakton ligji për këtë kategori funksionarësh.
Vendimi
Me hyrjen në fuqi të ligjit të mësipërm, Kuvendi i Shqipërisë ashtu si çdo institucion tjetër kishte detyrimin, që të miratonte me një vendim të posaçëm masën e përfitimit mujor për çdo deputet për shërbimin e transportit të tyre.
Përllogaritja e kësaj mase nga ana e Kuvendit është bërë në bazë të distancës nga Tirana me zonën, që deputeti përfaqëson, por duke ruajtur që mesatarja të mos kalojë 45 mijë lekëshin, që përcakton ligji. Konkretisht ndarja është bërë duke marrë në konsideratë distancat, që përfaqëson çdo qark, përmirësimet infrastrukturore si dhe një koefiçent mesatar për çdo kilometër.
Nisur nga fakti se deputetët konsiderohen si funksionarë të lartë publik masa e përfitimit mujor për çdo deputetë të mos jetë më e vogël se 35 mijë lekë. Kjo formulë është vlerësuar nga deputetët propozues si më e përshtatshmja në zbatim të këtij ligji.
Masa
Pavarësisht se në relacionin shpjegues thuhet se për përcaktimin e kësaj mase është marrë për bazë pikërisht largësia nga Tirana, nga analizimi i tabelës që shoqëron këtë vendim del qartë se ky parim nuk është zbatuar në të shumtën e rasteve.
Që në krye të kësaj tabele vërehet një trajtim i barabartë në shumë lekësh prej 37 mijë lekësh për deputetët e Durrësit dhe Tiranës, pavarësisht se largësia që duhet të përshkojnë deputetët e këtyre dy zonave nuk është njëjtë.
Pas Tiranës dhe Durrësit deputetët që do të marrin më pak lekë kompensim janë ata të qarkut të Lezhës me 40 mijë lekë në muaj. Më pas vjen Elbasani me 42 mijë lekë, Berati dhe Fieri me nga 45 mijë lekë dhe Shkodra me 49 mijë lekë. Siç edhe shihet nga këto shifra sërish në ndarjen që i është bërë shumës totale nuk është marrë në konsideratë parimi i barazisë në trajtim për të gjithë deputetët.
Kështu deputetët e Beratit dhe ata të Fierit marrin 4 mijë lekë më pak se deputetët e Shkodrës, pavarësisht se ata duhet të udhëtojnë për të shkuar në zonën e tyre rreth 20 kilometra më shumë. Një trajtim më të mirë do të kenë deputetët e zonave të largëta, të cilët do të marrin mbi 50 mijë lekë secili.
Deputetët e qarkut Korçë do të përfitojnë 53 mijë lekë, ata të Vlorës 55 mijë lekë, Kukësit 56 mijë lekë dhe në krye fare qëndrojnë qarqet Gjirokastër dhe Dibër me nga 57 mijë lekë.
Në total në një muaj për të gjithë deputetët shteti harxhon vetëm për transport 6.2 milionë lekë të reja. Ndërsa për tre muajt e parë të kësaj legjislature kur në fuqi ishte ligji i vjetër deputetët do të përfitojnë masën e rimbursimit si më parë.
Por ndarja që i është bërë masës së shpërblimit ka lënë të pakënaqur disa nga deputetët, të cilët nuk kanë nguruar ti shprehin rezervat e tyre drejtuesit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi.