Ligji për mbetjet, Berisha: Topi kërkon të nxjerrë vota nga plehu
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kryetari i opozitës, Edi Rama, po i kthen institucionet e pavarura në partiçka. Berisha kundërshton edhe emrin e Sali Shehut. “Mund të kesh qenë polic i shkëlqyer, por kjo nuk do të thotë se është kontroll policesk. Ajo që do të bësh është kontroll tjetër.”
TIRANË Kryeministri Sali Berisha ka folur dje më hapur se asnjëherë tjetër ndaj veprimeve të fundit të ndërmarra nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Fillimisht, Berisha ka akuzuar Topin se me kthimin e ligjit për mbetjet po kërkon të marrë vota për partinë e re e më pas ka kundërshtuar edhe kandidaturën e tij për drejtimin e KLSH-së. ”...Ne kemi trajtuar dhe do të trajtojmë në mënyrë kushtetuese çdo qëndrim që mbahet ndaj ligjeve të vendit, të votuara në Parlament, nga Presidenti i Republikës. Por dua të them se qëndrimi ndaj këtij ligji (për plehrat) është, nga alfa tek omega, qëndrim politik dhe, ata të cilët përpiqen në Aleancën e Plehut, të mashtrojnë dhe të dezinformojnë shqiptarët, do ta gjejnë veten të dëshpëruar...”, - tha dje Berisha para deputetëve demokratë në mbledhjen e përjavshme të qeverisë. Kryeministri sqaroi se aktualisht për Shqipërinë është përcaktuar që nga 300 e ca artikuj mbetjesh solide, jo të rrezikshme, në Shqipëri të importohen vetëm 50 prej tyre. “Edhe për këto që importohen, në ligjin që ju keni miratuar, theksohet se nuk mund të importohen për ruajtje, pra nuk ka magazinim, nuk ka depozitim. Pra, mund të importohen për procese të cilave duhet t’u nënshtrohen, por jo ruajtje. Ky është fakt që këta anëtarët e “Aleancës së Plehut”, apo zotërinjtë që duan të nxjerrin vota nga plehu, sepse e nxorën haptas këtë fakt në një emision të fundit, ua fshehin qytetarëve si fakt dhe u servirin mashtrimin e tyre. Pra, ky ligj nuk lejon ruajtje, as të metaleve, as të letrës e të asnjë prej tyre. Nëse importon, do t’i përpunosh ato dhe do t’i kthesh në produktin për të cilin ke importuar. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme të dihet”,- tha dje Berisha. Ky ligj, sipas Kryeministrit, detyron një menaxhim në standardet më të sigurta të mbetjeve urbane dhe detyron Shqipërinë të plotësojë një kërkesë të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që vendi ynë ka firmosur.
Tryeza e opozitës
Kryeministri veçoi dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar se mazhoranca është e angazhuar në një proces reformash dhe konsolidimi të pa ndërprerë të institucioneve të vendit. Në këto kushte, kreu i ekzekutivit ka shigjetuar përfaqësues të sistemit të drejtësisë që morën pjesë në tryezën e organizuar nga opozita, pak ditë më parë. “Për ne, shteti ligjor, mbetet kushti i të gjitha kushteve, që të gëzojmë liritë që meritojmë. Funksionimi i institucioneve të tij, është një kusht kryesor. Këto institucione janë në çdo vend me një status të caktuar, janë në çdo vend mbi ligje të caktuara, por përdorimi i këtyre institucioneve nga zoti Edi Rama, në funksion të krijimit të partive politike duke korruptuar në mënyra të ndryshme drejtuesit e tyre, është akti më i rëndë që ka ndodhur në historinë e këtij vendi në 20 vitet e fundit, absolutisht, ky është akti më i rëndë”, - tha ai. Për pasojë, Berisha shtoi se “nuk ndodh në ndonjë vend, që të ngërthehen krerë institucionesh, në funksion të një projekti të kryetarit të opozitës, për të luftuar mazhorancën. Por ne jemi një shoqëri e lirë, sepse ky vend ka institucione demokratike...”. Kryeministri theksoi se Rama po i kthen institucionet në partiçka.
“Çdo njëri këtu mund të krijojë parti politike, i ka të hapura, por askush nuk ka të drejtë dhe nuk ka amoralitet politik më të madh, sesa të përdhosësh Kushtetutën, institucionin që të është besuar, në funksion të projektit të kryetarit të opozitës dhe pse, se kështu mendon ai se mund të vijë në pushtet. Ore zotëri, nuk vjen kështu në pushtet?! Se institucionet nuk janë të Sali Berishës, institucionet janë të qytetarëve shqiptarë. Ata kanë dëshirë t’i respektojnë institucionet e tyre, por nuk ka sot shqiptarë, qytetarë të këtij vendi, që pas 20 vitesh të pranojë që institucionet e pavarura t’i kthejë kryetari i opozitës në partiçka. Unë ju garantoj ju se kështu vetëm sa i shton vota mazhorancës”, - tha ai.
Kandidatura për KLSH-në
Sali Shehu, kandidatura që Presidenti i Republikës dekretoi për drejtimin e KLSH-së, nuk do të marrë votat e demokratëve. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se Shehu jo vetëm nuk përmbush kriteret për të qenë në krye të KLSH-së, por për të nuk ka pasur as konsultime paraprake. “Çfarë është zotëria që është propozuar për Kryetar të Kontrollit të Shtetit. Ka një përcaktim Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimet e saj, është normë kushtetuese, thotë se Kreu i Shtetit duhet të konsultohet me Parlamentin për kandidaturat që i sjell. Presidenti nuk do ta zbatojë këtë përcaktim, është zgjedhja e tij, por një gjë është e sigurt, po ta marrë në këtë formë, sa herë që të mos i përmbahet do të shumëzojnë veten më zero, cilido qoftë, kaq është efekti. Ne respektojmë plotësisht, por ajo që thotë Gjykata Kushtetuese, ajo mbush boshllëkun që ka Kushtetuta në marrëdhëniet mes Kreut të Shtetit dhe Parlamentit, dhe në mënyrë absolute, nuk synon t’i cenojë pushtetin askurrkujt. Jo”, - tha Berisha. Kryeministri u ndal më pas te kriteret për të qenë kryetar i KLSH-së. “Ligjet e vendit përcaktojnë disa kritere, për kryekontrollorin e shtetit. Mund të kesh qenë polic i shkëlqyer, oficer policie i talentuar, dhe askush në Shqipëri më shumë se unë nuk i respekton, ju garantoj, njerëzit e uniformës dhe oficerët e policisë në mënyrë të veçantë, jua dimë të gjithë hallin, por kjo nuk do të thotë se është kontroll policesk. Ajo që do të bësh është kontroll tjetër”, - tha Berisha, duke shtuar se për këto arsye, ai priste një dorëheqje nga vetë Sali Shehu. “Zonja apo zotëria, burri apo gruaja, që do të zgjidhet në atë post të nderuar do të ketë tagrin kushtetues për të kontrolluar gjithçka, shpenzimet, veprimtarinë buxhetore të Qeverisë, të Parlamentit dhe mbarë shtetit dhe i tillë do të jetë dhe për të tillë do ta respektojmë”, - tha ai.