Importi i mbetjeve, maxhoranca rrëzon dekretin e Presidentit
Opozita ka ndarë mendim të kundërt me mazhorancën, ndërsa ka votuar pro dekretit dhe duke paralajmëruar se do të ndërmarrë nismën për një referendum popullor për këtë çështje
Nuk ka pasur asnjë surprizë. Mazhoranca, ashtu siç edhe pritej, ka rrëzuar dje dekretin e kreut të shtetit, me anë të të cilit ai kthente për rishqyrtim ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” ose siç është njohur në opinionin publik, ligjin e plehrave. Pas një seance që ka zgjatur më shumë se 150 minuta, deputetët e djathtë të komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese kanë hedhur poshtë dekretin e presidentit, si dhe argumentet e tij shoqëruese, duke lënë në fuqi ligjin siç edhe u miratua para pak kohësh në seancë, përfshi këtu edhe nenin 49 të tij që bën të mundur importimin e mbetjeve për qëllim riciklimi. Opozita edhe kësaj here ka ndarë mendim të kundërt me mazhorancën, ndërsa ka votuar pro dekretit dhe duke paralajmëruar njëkohësisht se do të ndërmarrë nismën për një referendum popullor për këtë çështje.
Mbledhja
Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese si komisioni përgjegjës ka marrë në shqyrtim dhe ka rrëzuar më pas dekretin e kreut të shtetit për kthimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Për të qenë më transparentë me shqyrtimin e tij dhe të çështjes që ky dekret trajton, komisioni ka dëgjuar fillimisht mendimin e përfaqësuesve të shoqërisë civile të organizuar në shoqata me karakter ambientalist. Më pas mbledhja ka vijuar me pyetjet që deputetët i kanë drejtuar zv/ministrit të Mjedisit, Tauland Bino, i cili ka shpjeguar edhe një herë se ligji në fjalë përmban të njëjtin nen, siç edhe ka qenë në ligjin e mëparshëm të miratuar nga qeveritë socialiste, pra duke lejuar importin e mbetjeve për qëllime riciklimi dhe duke ndaluar ato për qëllime depozitimi. Sipas tij, argumenti që shoqëron dekretin se neni 2 i ligjit bie ndesh me nenin 49 të tij, nuk qëndron. “Ne nuk shikojmë kundërshti midis nenit 49 dhe nenit 2 të ligjit që flet për qëllimin e ligjit. Ne i respektojmë parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, parimet e mbrojtjes së mjedisit dhe parimet e vetëmjaftueshmërisë dhe të afërsisë. Ligji është plotësisht i përputhur, ligji garanton mbrojtjen më të lartë”, - tha Bino, teksa ka theksuar se bëhet fjalë për mbetje që mund të përdoren për lëndë të parë. Ndërkohë që deputetët e majtë kanë kundërshtuar shpjegimet e dhëna nga Bino, duke sjellë në vëmendje se kapacitetet e Shqipërisë nuk mund të përballojnë importimin e plehrave. “Edhe mbetjet radioaktive mund të shërbejnë si lëndë e parë për të ekstraktuar uranium etj., edhe fekalet janë lëndë e parë për bujqësinë, por problemi është: A kanë impakt mjedisor këto lëndë po të vijnë në Shqipëri? Industria ricikluese në Shqipëri ka kapacitete të tilla, që mund të furnizohet vetëm nëse qeveria të nxisë ekonominë shqiptare që të përpunojë plehrat tona”, - tha deputeti socialist, Besnik Bare. Lidhur me këtë kanë reaguar përfaqësuesit e mazhorancës dhe zv/ministri i Mjedisit, të cilët kanë theksuar se ato hyjnë tek mbetjet e rrezikshme dhe që nuk trajtohen dhe aq më shumë të lejohen nga neni 49. Nga ana tjetër, deputeti Eduard Shalsi ka ngritur shqetësimin se importi i plehrave bëhet për hesap të mafias dhe jo të ekonomisë shqiptare.
Rrëzimi
Pas diskutimeve pro dhe kundër, komisioni ka kaluar në votim dhe ka qenë kryetari i tij Jemin Gjana ai që ka ftuar deputetët që të mbajnë të njëjtin qëndrim, si edhe gjatë diskutimit të këtij ligji gjatë momentit të parë të paraqitjes së tij. “Nuk ka administruar ky komision asnjë amendament të kolegëve të opozitës për të kërkuar rrëzimin e nenit 49 të ligjit. Ndaj, unë do i propozoj komisionit që të mbajmë të njëjtin qëndrim që mbajtëm edhe gjatë shqyrtimit të ligjit”, - tha Gjana. Ftesë kjo që ka gjetur mbështetjen e të gjithë deputetëve të djathtë, por jo të përfaqësuesve të opozitës, të cilët në momentin e votimit përfaqësoheshin vetëm nga Klosi që votoi pro dekretit.
Dekreti për mbetjet, debatet PD-PS në komision
Eduard Shalsi: Nuk është aspak serioze edhe për ju kolegë të nderuar, që një zv/ministër me stemën e republikës nga prapa të lëshojë akuza kundër atij që deri dje ishte në krahun tuaj, kjo nuk është serioze, kjo tregon sa e papërgatitur është qeveria dhe sa e rëndë është situata.
Jemin Gjana: Nuk është normale për ju që të kërcesh nga një degë në një degë tjetër, ndaj përmbajuni çështjes. Nuk mund të pranoj unë që t’i bësh presion zëvendësministrit.
Eduard Shalsi: Jo presion, por llogari, sepse për këtë jam unë këtu. Nëse ju nuk jeni në gjendje ta bëni këtë, ne do e bëjmë.
Besnik Bare: Duke pasur parasysh se importimi i mbetjeve është lejuar deri më tani, ne vëmë re se ka shumë pak progres në menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri.
Blendi Klosi: Në çfarë momenti dhe çfarë garancie shteti shqiptar jep që të ndalojë importimin e plehrave për qëllime jo të industrisë shqiptare, por të mafias? Unë nuk jam vetëm kundër nenit 49, por jam që ky ligj të ketë një trajtim të gjerë publik.
Taulant Bino: Kemi pasur vetëm tri kërkesa për lejim importi të mbetjeve. Nuk japim leje për dhjetë subjekte njëkohësisht, por për kërkesa specifike. Tashmë kontrollet dhe procedurat e tyre janë forcuar. Pra kemi të bëjmë me një ligj më konservator se i mëparshmi, pra jo vetëm që nuk e shqyen portën, por e ngushton atë. Doganat shqiptare monitorohen jo vetëm nga ne, por edhe nga organizma të tjera. Ne nuk flasim për import të mbetjeve radioaktive.
Besnik Bare: Edhe mbetjet radioaktive mund të shërbejnë si lëndë e parë për të ekstraktuar uranium etj., edhe fekalet janë lëndë e parë për bujqësinë, por problemi është: A kanë impakt mjedisor këto lëndë po të vijnë në Shqipëri? Industria ricikluese në Shqipëri ka kapacitete të tilla, që mund të furnizohet vetëm nëse qeveria nxit ekonominë shqiptare që të përpunojë plehrat tona. Konventa e Bazelit u jep prioritet mbetjeve në vend dhe jo atyre të importuara.
Gjana: Uraniumi nuk është mbetje, uraniumi në të gjitha përkufizimet nuk e ka përcaktimin ‘mbetje’, por e ka përkufizimin ‘mbetje e rrezikshme’. Nëse ti do që popullsisë t’i futësh tmerrin, ta frikësosh a thuajse ne po bëhemi vend i uraniumit dhe se Shqipërinë do ta shndërrojmë në një Nagasaki, kjo është çështje tjetër.
Bare: Unë nuk thashë se ajo erdhi në Shqipëri, por për mungesë kapacitetesh monitorimi, probabiliteti është që të vijë.
Klosi: Ky do të jetë ligji i parë që ne do suprimojmë sapo të marrim pushtetin.
Gjana: Nuk ka administruar ky komision asnjë amendament të kolegëve të opozitës për të kërkuar rrëzimin e nenit 49 të ligjit. Ndaj, unë do i propozoj komisionit që të mbajmë të njëjtin qëndrim që mbajtëm edhe gjatë shqyrtimit të ligjit. E them këtë me bindje dhe jo për interesa. Nuk jemi para një stuhie aq të madhe sa bëhet.