E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet me 3/5-at, Konferenca e Kryetarëve i kthen për rishqyrtim

TIRANË Ligjet me 3/5-at do të kthehen sërish në komisionet parlamentare për shqyrtim. Ky është propozimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, edhe pse, për hir të së vërtetës, ligjet me 3/5-at janë ende të përfshira për votim në kalendarin trijavor të punimeve, që përfshin periudhën 7- 25 nëntor. “Kryetarja e Kuvendit në këtë mbledhje propozoi që, ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, të kthehen për herë të dytë në komisione parlamentare, pas rikthimit që i është bërë një herë në komisione gjatë muajit shtator. Kjo si një ofertë tjetër për t’i dhënë mundësi përsëri opozitës të sjellë propozime për këto ligje, për të çuar kështu përpara procesin e zbatimit të 12 rekomandimeve të BE-së”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit. Sipas njoftimit, kryetarja e Kuvendit është shprehur gjatë mbledhjes së konferencës së kryetarëve se ligjet me 3/5-at kanë qenë gjithnjë në axhendën e Parlamentit. “Unë si Kryetare e Kuvendit kam gjithë vullnetin pozitiv për të bërë çdo gjë për ta çuar këtë proces përpara. Axhenda integruese është axhenda jonë parlamentare, është axhenda jonë kombëtare”, - është shprehur Topalli. Nga ana e tyre, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, kërkuan që në kalendarin 3-javor të punimeve të parashikohet rishikimi i Rregullores së Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit sqaroi se rishikimii Rregullores është tashmë i përfshirë në kalendarin e punës, i votuar në datë 13 tetor 2011 në seancë plenare. Pas diskutimeve, Konferenca vendosi që ligjet që kërkojnë 3/5 e votave të Kuvendit të shqyrtohen për herë të dytë në komisionet përkatëse parlamentare. Gjatë konferencës, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ofroi që, nga tri kandidatura që propozohen dhe miratohen nga Kuvendi për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, një të propozohet nga PD-ja, një nga PS-ja dhe një nga LSI-ja, si shprehje e vullnetit për bashkëpunim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›