E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për nënpunësin civil, opozita largohet nga komisioni

Opozita ka braktis sërish komisionin e ligjeve ku po diskutohej projektligji për nënpunësin civil, që kërkon shumicë të cilësuar në parlament.
 

Deputetët e opozitës janë larguar nga komisioni me arqyetimin se ata do të marrin pjesë në shqyrtimin e ligjit vetëm pasi të jetë zgjidhur çështja e qarkut të Fierit.
 

Deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj ka akuzuar mazhorancën se po e trajton ligjin sikur Administrata publike të jetë pronë e Partisë Demokratike.
 

“Shumica po bën të njëjtën aventurë si me projektligjin për Gjykatën e Lartë. Jemi gati të shqyrtojmë ligjet me 3/5, por më parë duhet të zgjidhet çështja e Fierit. Opozita nuk merr pjesë në shqyrtimin e ligjit për nëpunësin civil ” tha Xhafaj.

Nga ana e tij, kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli ka deklaruar se komisioni nuk mund ta heqë shqyrtimin e projekligjit nga rendi i ditës pasi është në kundërshtim me rregulloren.
 

"Deklaratat e opozitës po i marrim si kërkesë për heqjen e ligjit nga rendi i ditës së Komisonit të Ligjeve. Për diskutimin e ligjit, ne na urdhërojnë ligjet dhe rregullorja e Kuvendit por kush e urdhëron opozitën për të bllokuar dhe kërcënuar? Në Komisione punohet për të bërë ligje” tha Rusmajli.

Partia Socialiste ka deklaruar më herët se nuk do të marrë pjesë në shqyrtimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në të gjitha komisionet parlamentare pa u zgjidhur më parë çështja e qarkut të Fierit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›