Akuzat e Braçes, të denja për trafikantë që marrin përsipër përgjegjësi kriminale
Ministria e Mbrojtjes reagon ndaj telenovelës me akuza, shqiptuar prej një kasneci të Edvinit
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sërish për akuzat e Partisë Socialiste. Ministria e Mbrojtjes i ka konsideruar akuzat e opozitës për trafik armësh e municionesh, si përpjekje që cenojnë sigurinë kombëtare. Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Lorisa Ylli tha të shtunën se shitja e municioneve të vjetra është më ekonomike se sa demontimi i tyre. “Ministria e Mbrojtjes do të bëjë të gjitha përpjekjet që këto municione të shiten dhe me këto para të mbështetet procesi i demontimit të municioneve të tepërta e të rrezikshme. Ky është një proces tërësisht ligjor, transparent dhe i hapur për të gjitha kompanitë vendase e të huaja që operojnë në tregun e mallrave ushtarakë”, tha Ylli. Përpjekjet e PS-së për të penguar e minuar reformat në Forcat e Armatosura, vijoi Ylli, për ta pastruar atë nga mbetjet e të shkuarës, për ta modernizuar e përshtatur me standardet më të mira të Aleancës së Atlantikut të Veriut, do të marrin përgjigjet e merituara. “Publikimi dhe deklasifikimi i dokumenteve që përbëjnë sekret shtetëror është një përgjegjësi kriminale që ky zotëri po merr përsipër. Ministria e Mbrojtjes do të përdor të gjitha mjetet ligjore për të identifikuar shkelësit e ligjit që fshihen pas këtij akti kriminal”, tha ajo. Sipas saj publikimi i dokumenteve sekretë nga ana e PS-së përbën shkelje ligjore. “Braçe që di të lexojë shumë mirë gënjeshtrat degjeneroi sot në akuza të denja vetëm për një trafikant, ndërsa shifrat marramendëse për qindra miliona dollarë janë shpifje të mendjeve të sëmura”, deklaroi zëdhënësja. Ndërkohë ajo ka sqaruar se shitja e municioneve është bërë në mënyrë të ligjshme dhe transparente, ndërsa theksoi se nga shitja e armëve mbështetet demontimi.
...