E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për policinë obligon themelimin e Policisë Rezervë

 Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Policia e Kosovës me Ligjin për policinë, i cili ka hyrë në fuçi në vitin i 2008, i obligon këto dy institucione që ta themelojnë Policinë Rezervë e cila do të kryente punët e reagimit në situata emergjente, katastrofave, reagimit në raste të terrorizmit, e raste tjera të nevojshme.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi thotë se MPB-ja është duke zbatuar ligjin dhe se janë duke bërë përgatitjet për krijimin e policisë rezervë.

Neni 36 i Ligjit për Policinë parasheh themelimin e Policisë Rezervë, ku pika 1 e këtij neni thotë se, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, me aprovimin e ministrit, themelon policinë rezervë në mënyrë që ta ndihmojë policinë në veprimet e veçanta të sigurisë, e cila përbëhet nga vullnetarët të cilët e nënshkruajnë kontratën me policinë që të jenë anëtarë rezervë dhe janë të kualifikuar dhe të trajnuar të kryejnë detyra policore.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi ditë më parë ka deklaruar se për themelimin e Policisë Rezervë janë bërë të gjitha përgatitjet e detajuara, por sipas tij, ka mbetur vetëm që të vizitohet ndonjë vend i rajonit dhe të merren përvojat rajonale.

Ndërsa, pika 2 e këtij neni thotë se anëtarët e policisë rezervë mund të angazhohen nga Drejtori i Përgjithshëm me aprovimin e ministrit, ndërsa menaxhimi operacional i Policisë rezervë është e drejtë vetëm e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Sipas kësaj pike, zyrtarët e policisë rezervë mund të angazhohen në kombinim me zyrtarët e rregullt policorë në rrethana të jashtëzakonshme ose urgjente, siç janë: rastet emergjente publike të rëndësishme, reagimi emergjent ndaj sulmeve terroriste, çrregullimet ose trazirat e mëdha të qytetarëve, reagimet emergjente ndaj rrezikut të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i operativës, Naim Rexha tha për Radio Kosovën se grupi punues është duke iu përmbajtur itinerarit të aktiviteteve të planit të veprimit për themelimin e Policisë Rezervë.

”Ne jemi në fazën e hartimit të dokumentacionit të nevojshëm për themelimin, funksionalizimin dhe angazhimin eventual të policisë në fjalë”, tha ai.

Për themelimin e Policisë Rezervë duhet të aplikojnë moshat e reja, ata që mund të jenë lëvizës dhe të gatshëm që të pranojnë metoda të zhvilluara, që nënkupton nga mosha madhore deri maksimum 30 vjeç./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›