Edhe dy muaj paraburgim për “Grupin e Drenicës”

“Grupi i Drenicës”, do të kaloj edhe dy muaj paraburgim. Lajmin për vazhdimin e paraburgimit e ka konfirmuar për Indeksonline, avokati mbrojtës i Sylejman Selimit, Tomë Gashi.
“Gjyqtari i procedures paraprake i gjykatës themelore në Mitrovicë, sipas kërkesës së prokurorit të Eulex-it ka sjellë vendim me të cilin i ka vazhduar paraburgimin ish komandantit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe të tjerëve”, ka thënë Gashi për Indeksonline.
Sipas Gashit, ky vendim është shokues dhe jo i ligjshëm.
“Ky vendim është shokues, jo i ligjshëm dhe jo i drejtë. Asnjë arsye ligjore nuk ekziston që Sylejman Selimi dhe të tjerët të mbahen në paraburgim. Por duket se edhe ky gjyqtar ka ra në ndikim”, ka shtuar Gashi.
Nga ana e tij, edhe avokati mbrojtës i Sami Lushtakut, Arianit Koci ka thënë se posa të marrë vendimin në formë të shkruar do të paraqesë ankesën.
“E kam pranuar informacionin gojor nga ana e EULEX-it se është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, po sa ta marr në formë të shkruar do ta analizojë dhe do të bëjë ankesë. Ku vendim është i padrejtë dhe i kundërligsëm”, ka thënë Koci për Indeksonline./Indeksonline/