Ligjvënësit në kaos

Komisioni Parlamentar i Ligjeve, miratoi mbrëmë me vetëm dy vota kundër, paketën e të gjitha ndryshimeve kushtetuese përfshi sistemin elektoral proporcional rajonal dhe zgjedhjen e presidentit me të paktën 71 vota në raundin e 4-t dhe të 5-të. Ndërsa si paketë votuan kundër vetëm Spiro Peçi dhe përfaqësuesi i LSI-së, Spartak Braho në votimet nen për nen raportet ndryshonin. Në votimin për nenin 87 të kushtetutës, mënyrën e zgjedhjes së presidentit, ishin 5 vota kundër propozimit të përbashkët PS-PD. Sipas këtij propozimi që u miratua me shumicën e votave, presidenti zgjidhet me votim të fshehtë, përmes 5 raundeve. Në 3 raundet e para, kandidati fitues duhet të marrë të paktën tri të pestat e gjithë anëtarëve të kuvendit. Nëse asnjë prej kandidatëve nuk merr shumicën e kërkuar të votave atëherë në raundin e katërt numri i votave të domosdoshme për t’u bërë president zbret në 50 përqind të anëtarëve plus 1. Raundi i 5-të kërkon sërish shumicë të thjeshtë dhe në të mund të garojnë vetëm dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota në raundin e katërt. Kundrër këtij propozimi votuan 3 deputetët e PD-së, Sali Shehu, Dashnor Sula, Pal Dajçi dhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho me atë të PBDNJ-së, Spiro Peçi. Këta të fundit votuan “pro” propozimit tjetër, sipas të cilit presidenti zgjidhet direkt nga populli. Edhe pse votuan kundër këtij propozimi 3 deputetët demokratë, ishin “pro” paketës në tërësi, që u kundërshtua vetëm nga Peçi dhe Braho. Por, megjithëse propozimi për zgjedhjen e presidentit nga populli u rrëzua në komisionin e ligjeve, ai vazhdon të ketë mundësi të marrë shumicën e votave gjatë votimit në seancë. Siç u shprehën vetë deputetët, të dy propozimet do të votohen në seancë plenare, i pari ai që u rrëzua në komision, që kërkon zgjedhjen e kreut të shtetit nga populli dhe i dyti, propozimi sipas të cilit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë në raundin e katërt dhe të pestë. Gjithsesi është për t’u vërejtur fakti, që salla në momentin e votimit të propozimit për zgjedhje të presidentit nga populli u shoqërua me ilaritet gjatë votimit. “Po ti ke firmosur për këtë propozim si nuk e voton?!”-iu drejtua Spartako Braho, deputetit demokrat Eris Hoxha. Ky i fundit është nënshkrues i të dy propozimeve. Pikërisht firmosja e disa deputetëve të të dy propozimeve, u shoqërua me debat në sallë. Ky fakt as që ishte vënë re nga deputetët derisa, “Korrieri”, përpara mbledhjes së komisionit, i kërkoi juristit Spiro Peçi t’i sqaronte nëse lejohej ose jo firmosja e një deputeti në dy propozime. I çuditur për mundësinë e firmosjes së propozimeve nga të njëjtët deputetë, Peçi tha se kjo është antiligjore. Këtë shqetësim, deputeti i PBDNJ-së së bashku me Spartak Brahon e LSI-së e shprehën më pas edhe në mbledhjen e Komisonit. Kjo logjikë e dy juristëve u kundërshtua nga Sali Shehu, Dashnor Sula dhe Fatos Beja, të cilët theksuan faktin se moslejmi i firmosjes së dy propozimeve ishte i sanksionuar vetëm në rastin e firmave të mbledhura për kandidatët për presidentë. Ndërkaq, Komisioni i Ligjeve miratoi edhe mundësinë që kryeministri ka për të shpërndarë Kuvendin, nëse kërkon mocion besimi dhe ky nuk merr shumicën e thjeshtë të votave. Pas mbledhjes së djeshme komisioni arriti të miratonte të 9 nenet e kushtetutës që kërkohet të ndryshohen në bazë të propozimeve. Tashmë fjala e fundit i takon vetëm seancës plenare, ku do të votohet paketa, që sipas burimeve pritet të zhvillohet që ditën e hënë. saqellari@korrieri.com