E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topolanek: Berisha më bëri të qaj

Kryeministri çek tha se u ndje i mallëngjyer ne Bukuresht kur Shqiperia mori ftesen e anetaresimit ne NATO

Kryeministri çek, Mirek Topolanek ka thënë në konferencën e djeshme që fjalimet e  presidentit shqiptar Bamir Topi dhe kryeministrit Berisha para kryetarëve të shteteve anëtare të NATO-s, i kanë mbushur sytë në lot. “Në Samitin e Bukureshtit, është e vërtetë se ne i dhamë mbështetje të plotë Shqipërisë për të marrë ftesën për të hyrë në NATO. Kur dëgjova fjalimin e Presidentit, zotit Topi dhe të Kryeministrit Berisha në këtë Samit, pata lot në sy. Shqipëria, me një rrugë të vështirë e të dhimbshme, edhe pse pak të vonuar në kohë, më në fund mundi të hyjë në familjen tonë të NATO-s”, ka thënë kryeministri çek. “Dua t’i kujtoj të gjithëve dhe atyre që kanë jetuar në atë kohë, se ne e dimë shumë mirë që kemi qenë anëtarë dhe aleatë në një pakt prej të cilit Shqipëria atëherë doli pikërisht për të protestuar kundër pushtimit të Çekisë nga forcat e huaja. Duam t’ju ndihmojmë me gjithë zemër në rrugën që keni nisur dhe që Çekia tashmë e ka kaluar” tha para mediave kryeministri Topolanek i cili vinte për herë të parë në Shqipëri. Ai e ka cilësuar vizitën në Shqipëri si një moment historik ndërsa është shprehur se kishte patur frikë “se mos mjegulla do ta pengonte ardhjen e tij”. Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Berisha, Topolanek deklaroi se sistemi i mbrojtjes antiraketë i cili do të instalohet në Çeki do të mbulojë të gjithë rajonin e Europës, përfshirë dhe Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›