Ligjvënësit nuk debatojnë për situatën në veri

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se duke e parë gjendje në atë pjesë dhe ndërhyrjen e Njësisë Rosu, është mirë që të futet në rend të ditës si çështje urgjente, situata në atë pjesë të vendit.
“Në bazë të mediave kemi informata që ka pasur ndërhyrje të ROSU-s në pjesën veriore e po ashtu ka pas edhe tërheqje të Njësiteve të Rosus. Kjo tregon që gjendja e sigurisë së qytetarëve në veri të vendit është në rrezik dhe mendoj se kjo është çështje urgjente që do të duhej të diskutohej dhe me këtë rast që ministri i Punëve të Brendshme të na raportoj këtu për gjendjen në veri. Unë pra kërkoj që hidhet në votim”, ka thënë Aliu.
Kryesuesi i seancës, Enis Kervan, ka lexuar rregulloren e Kuvendit, duke thënë se rregullorja lejon propozimin e deputetit.
“Neni 49 të rregullores lidhur me shqyrtimin e çështjeve urgjente në kuvend thotë që kryetari i Kuvendit i mundëson deputetit të propozoj kërkesën e tij dhe propozimi i tij të hidhet në votim. Nëse kuvendi vendos që çështjen të merr parasysh, çështja radhitet në rendin e ditës së mbledhjes”, ka thënë Kervan.
Por shefi i Grupit Parlamentar të PDK, Adem Grabovci ka thënë se për t’u diskutuar kjo çështje duhet të ketë koordinim të grupeve parlamentare dhe jo të diskutohet sot.
“Unë kam informacione të sakta, se ministri është në terren dhe situata është në kontroll dhe ne nuk e shohim që sot të diskutohet për këtë çështje. Për të diskutuar për këtë çështje ne duhet të konsultohemi dhe të koordinohemi me gjithë faktorët relevant qofshin ata vendor edhe ata ndërkombëtar të ecjes përpara dhe jo të marrim një vendim të pa peshuar mirë, i cili mund të jetë me pasoja të rënda jo vetëm për vendin tonë, por për krejt regjionin”, ka thënë Grabovci.
Edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se duhet të ketë koordinim të grupeve parlamentare.
“Mendoj se ne, si Kuvend, është me interes t’i drejtohemi kryeministrit të vendit, presidentit të vendit, po ashtu edhe ministrit që të kryejnë detyrat kushtetuese dhe në këtë rast. Dhe në momentin më të mirë të mundshëm të vijnë të raportojnë para këtij Kuvendi dhe mendoj se duhet të mbetet e hapur çështja që të koordinohen të gjithë grupet parlamentare dhe kryesia të diskutoj për këtë”, ka theksuar Gashi.
Ndërkohë, shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se deputetët nuk kanë informacione të mjaftueshme për të debatuar për këtë çështje.
“Mendojmë se është jashtëzakonisht legjitime brenga, por po ashtu duhet shtuar se informacione të cilat ne si deputet i kemi në këtë moment janë shumë të pakta mos me thënë se kemi informacione reale përpos asaj që po shkruhet shpejt e shpejt nëpër portale. Çështja tjetër instrumentin të cilin e posedon Kuvendi debati eksplicit ndaj Qeverisë nuk do të ndikojnë në situatë tani për tani. Unë propozoj që kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryesia e kuvendit të jenë në koordinim të vazhdueshëm dhe në qoftë se është e nevojshme nesër të debatojmë. Këta deputet këtu që jemi nuk dimë se çka po ndodh dhe as nuk mund t’i sjellim zyrtarët e qeverisë këtu”, ka thënë Gjini.
Kjo kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje ka ardhur në fund të seancës ku janë miratuar disa projektligje.
Kuvendi miraton disa projektligje
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar punimet nga seanca e javës së kaluar që ka mbetur në gjysmë duke miratuar disa projektligje në lexim të parë dhe disa raporte, pa ndonjë debat të madh. Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale është miratuar me shumicë të votave dhe pa ndonjë debat të madh, ndërkohë ai për sigurinë dhe shëndetin në punë, nga grupet parlamentare të opozitës janë disa vërejtje, por që në fund i kanë dhënë mbështetje projektligjit.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq ka prezantuar projektligjin, duke thënë se këtë projektligj parashihet që secila kompani që ka mbi 50 punëtor duhet të ketë një person i cili e mbikëqyrë shëndetin e punëtorëve.
“Çdo kompani që ka shumë se 50 të punësuar duhet të ketë një person i cili merret me mbikëqyrjen e shëndetit të punësuarve. Domethënë me këtë na formojmë grupet punuese në të cilën do të jetë një përfaqësues i sindikatës, një përfaqësues i punëmarrësit dhe një përfaqësues i punëkryerësit”, ka theksuar Rashiq.
Nga ana tjetër deputetja Flora Brovina në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se PDK përkrah këtë projektligj, duke e konsideruar si një ndër ligjet më të rëndësishme.
Për më tepër ajo ka shtuar se kjo po tregon përkushtimin e Ministrisë Punës dhe Mirëqenies Sociale për përkujdesjen e punëtorëve në punë.
“Është shumë e nevojshme që punëtorët të njihen me të drejtat e veta dhe për përkujdesjet e shëndetit në punë, gjithashtu të kujdesen edhe për kolegët e vet. Edhe punëmarrësit do të i marrin obligimet e veta”, ka thënë Brovina.
Edhe deputeti, Bahri Thaçi në emër të GP të LDK-së ka dhënë përkrahje për këtë projektligj, duke i dhënë disa vërejtje në disa nene.
Edhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dhënë mbështetje këtij projektligjit, duke i përmendur disa të meta të këtij projektligjit.
Po ashtu sot janë miratuar në lexim të parë projektligji për Ansamblin Kombëtar të këngëve dhe valleve "Shota" dhe për ansamblet tjera.
Gjithashtu është miratuar në lexim të parë projektligji për mallrat e liruara nga tatimi doganor dhe mallrat me tarifë zero të tatimit doganor.
Ndërkohë në lexim të dytë është miratuar projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, si dhe është miratuar raporti i tretë për zbatimin e planit të veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrim Evropian për vitin 2012. /kosovapress/