E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjvënësit socialistë me katër nënkryetarë. Ndryshon mënyrën e drejtimit

10/06/2010 Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjedh drejtuesit për në Kuvend

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi dje drejtuesit e tij, duke ndryshuar mënyrën e funksionimit të kryesisë së grupimit të ligjvënësve socialistë. Kështu, ndryshe nga tradita e mëparshme, kryesia e këtij grupi nuk do të jetë më e përbërë nga dy nënkryetarë, por nga katër drejtues të tillë. Njëkohësisht përveç kryetarit, katër nënkryetarëve kryesia e grupit kuvendor socialist do të përfshijë dhe sekretarin. Gjithashtu po në këtë mbledhje u caktuan edhe kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit. Përzgjedhja e kandidaturave për poste të tilla ishte paracaktuar nga lidershipi socialist, ndërsa ligjvënësit socialistë vetëm sa miratuan emrat e propozuar. Madje edhe kandidatura për postin e nënkryetarit të Kuvendit, ku Partia Socialiste ka të drejtën e përfaqësimit në një pozicion të tillë, ndoqi po të njëjtën procedurë. Përpara fillimit të mbledhjes së grupit parlamentar socialist kreu i PS-së Edi Rama së bashku me stafin e tij të ngushtë listoi kandidaturat për secilin nga këto pozicione. Ndërkohë për karrigen e nënkryetarit të Kuvendit brenda kampit rozë ishin përfolur disa emra, por pas një analizë të bërë nga lidershipi socialist u vendos që të ishte deputeti Namik Dokle ai që të përfaqësonte këtë parti në drejtimin e Kuvendit, e pikërisht si zëvendës i kryeparlamentares Topalli. Burime pranë kësaj partie bënë me dije se përzgjedhja e tij dhe eliminimi i kandidaturave të tjera erdhi si një lëvizje e detyruar, me qëllim që zyra e nënkryetarit të Kuvendit në godinën e Kryesisë së këtij institucioni të ishte e hapur dhe të frekuentohej nga i gjithë grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Mësohet se në çastin që do të votohej për kandidatin që do të mbante një post të tillë, deputeti socialist Bashkim Fino ka propozuar që të ishte deputeti Ben Blushi një tjetër kandidat për këtë pozicion. Nga ana e tij Rama ka propozuar që të hidhet në miratim kjo kandidaturë, edhe pse deputeti Xhemal Qefalia ka qenë kundër këtij votimi për shkak të mosprezencës në këtë mbledhje të Blushit. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se kur do votohej për kandidaturën e Blushit, deputeti Fino është tërhequr nga ky propozim me justifikimin se Blushi nuk i është përgjigjur në telefon, pasi e kishte të fikur atë.

Kundërshtia

Burime pranë grupit parlamentar të PS-së bënë me dije se deputetja e PS-së Arta Dade gjatë zgjedhjes së nënkryetarëve të këtij grupi ka shprehur pakënaqësi për përfaqësimin në minorancë të femrave në kryesinë e grupit.

Kryesia e grupit parlamentar socialist

Erion Braçe - nënkryetar

Vasilika Hysi - nënkryetare

Saimir Tahiri - nënkryetar

Eduard Shalsi - nënkryetar

Taulant Balla - sekretar i grupit

Në drejtimin e komisioneve të Parlamentit

Fatmir Xhafa - nënkryetar i Komisionit të Ligjeve

Mimi Kodheli - nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë

Arta Dade - nënkryetare e Komisionit të Jashtëm

Ermelinda Meksi - kryetare e Komisionit për Integrimin

Ilir Gjoni - nënkryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare

Ethem Ruka - kryetar i Komisionit për Shëndetësinë

Ilir Beqaj - nënkryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese

Valentina Leskaj - kryetare e Komisionit për Edukimin

Namik Dokle - nënkryetar i Kuvendit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›