E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, breshri shkakton 1 milion USD dëme në bujqësi

Dëmet nga breshri

SHKODER – Dëmet në sektorin e bujqësisë nga stuhia e pak ditëve më parë, shoqëruar me breshër, kapin vlerën prej 1 milion dollarësh. Një fakt të tillë e pohon Guri Beshi, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë dhe Ushqimit në Shkodër. Ne si Drejtori Bujqësie kemi përcaktuar dëmin në të gjithë rrethin e Shkodrës si për çdo fermer, ashtu dhe për çdo kulturë të mbjellë dhe të dëmtuar, dhe ka rezultuar që vlera financiare e këtyre dëmeve të arrijë në rreth 1 milion dollarë, ka pohuar Beshi. Ai shton se janë informuar të gjitha instancat përkatëse, duke filluar nga Këshilli i qarkut e deri në Ministrinë e Bujqësisë për dëmin. Njëkohësisht, Beshi thotë se i është kërkuar qeverisë që të shikohet mundësia e përfshirjes në skemën e dëmshpërblimit të këtyre fermerëve që u dëmtuan në një shkallë të gjerë, pasi me ligjet aktuale që janë sot për emergjencën nuk është parashikuar një rast i tillë, pra dëme në bujqësi, si rezultat i faktorëve atmosferikë, të shiut apo dhe breshrit. Megjithatë, ne kemi kërkuar që raste të tilla të përfshihen në legjislacionin shqiptar, pikërisht në rastet e emergjencave, siç u veprua me përmbytjet. Më tej Beshi u ka bërë thirrje dhe u tërhequr vëmendjen fermerëve shkodranë që të drejtohen pranë kompanive të sigurimeve për të parandaluar rrënimin e tyre në raste të tilla. Mësohet se dëme ka pasur në 560 hektarë të mbjella me perime dhe zarzavate të stinës në bashkinë Koplik, Vaun e Dejës e komunat Qendër, Bushat, Bërdicë dhe Hajmel.            r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›