E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kçira: Ia kemi borxh titullin Tiranës

 

Mbrojtësi bardheblu Lek Kçira vlerëson përgatitjet dhe merkaton e kryer

Lek Kçira është një nga goditjet e para të merkatos së Tiranës për këtë verë. Mbrojtësi gjeti marrëveshjen për të rinovuar kontratën me presidentin Refik Halili, pas 5 muajsh me ngjyrat bardheblu, ku erdhi për të zëvendësuar Nevil Deden. Prizrenasi me pasaportë kroate do të jetë një prej shtyllave të prapavijës, jo vetëm për shkak të shtatlartësisë, por edhe faktit se kupton gjuhën e trajnerit Slishkoviç. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", Kçira flet për veten dhe synimin kryesor, fitimin e titullit.

- Lek, si do ta vlerësonit pjesën e parë të fazës përgatitore në Ohër?

- Shumë të rëndësishme për gjendjen fizike. Jemi stërvitur me nga dy seanca ditën, ndërkohë që kemi zhvilluar edhe ndeshje miqësore, për të parë më mirë veten. Mendoj se kryem një punë shumë intensive, por ndërkohë nuk ka mbaruar këtu, se përpara është edhe muaji gusht, ku na duhet të perfeksionohemi në lëvizjet në fushë.

- Personalisht, si ndiheni në skuadër, duke parë se pjesa më e madhe e lojtarëve kanë ndryshuar?

- Po shoh shumë ndryshime. Megjithatë, edhe këta lojtarë që janë afruar, kanë cilësitë e nevojshme. Në mbrojtje kam pasur në krahë Dabullën dhe Lilën, me të cilët jam kuptuar mirë, edhe pse na duhet ende kohë që të arrijmë aty ku pretendojmë.

- Si ju është dukur në fushë trajneri Slishkoviç, për të cilin kishit përshtypjet më të mira, në momentin që u informuat se do të ishte në drejtimin e Tiranës?

- Në Kroaci, ai ka një reputacion të madh, pasi ka qenë një futbollist i shkëlqyer. Edhe si trajner, ka eksperienca të vlefshme. Tani që e njoha personalisht, sigurisht kam krijuar një përshtypje të plotë për të. Absolutisht është një profesionist në mënyrën se si e drejton skuadrës, pasi kujdeset për detajet më të vogla brenda dhe jashtë fushës. Çdo ditë e më shumë, Slishkoviç po krijon personalitetin e vet mes grupit dhe unë ndihem i kënaqur që stërvitem prej tij.

- Kur duhen ende dhe 25 ditë nga fillimi i kampionatit, a mendoni se duhen ende lojtarë të tjerë në skuadër?

- Në çdo ekip, prurjet e reja dhe cilësore janë gjithmonë të mira. Edhe Tirana ka ende nevojë që të blejë disa futbollistë, në ato reparte ku mund të kemi mungesa, sepse në një sezon të gjatë përfshihen dëmtimet dhe skualifikimet. Megjithatë, më mirë këtë punë e dinë drejtuesit teknikë, ndërkohë që ne si futbollistë na mbetet që të japim maksimumin në fushë.

- Në fund, do të ishte me interes të dinim se me çfarë objektivash po ndërtohet Tirana?

- Synimet janë të mëdha. Pa dyshim që titulli kampion është detyrimi i gjithsecilit prej nesh. Pikërisht, për fitimin e këtij trofeu jemi duke punuar dhe do të luftojmë që nga java e parë e kampionatit, deri tek ajo e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›