Lika: Kështu drejt titullit kampion
Gardiani i bardhebluve beson se me këtë ritëm, 24-herë kampionët janë në rrugën e duhur për kurorën e 25-të. Megjithatë, ai beson se ka ende vend për të përmirësuar, sidomos pas problemeve me Bylisin
Është rikthyer në formën e tij më të mirë dhe këtë po e shijon shumë trajneri spanjoll Rubio Sançez. Ilion Lika, ish-portieri i Dinamos synon që të rritet edhe më, për të ndihmuar ekipin e tij aktual dhe pse jo, t’i rikthehet kuadratit kuqezi si dikur. Në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”, është ndër të parët që vjen dhe bën t’i drejtohet dhomave të zhveshjes, por gjen kohë për të dhënë edhe një prononcim për gazetën. Sipas tij, rezultati 3-2 në ndeshjen me Bylisin është i gënjeshtërt, pasi ishin disa situata jot ë këndëshme ato që sollën dy golat e kapitenit të mallkastriotëve, përfshirë edhe atë me 11-metërsh. “Me Bylisin nuk bëmë më të mirën. Tirana është në gjendje që të japë shumë më shumë sesa kaq. Ne e dimë nivelin tonë. Megjithatë, arritëm të merrnim tre pikë falë edhe golave të Balës. Tani jemi më të sigurt në krye dhe që nga java e ardhshme, do të mendojmë që të shkëputemi nga ndjekësit,” deklaron portieri Lika.
Në mesjavë, do të luhen ndeshjet e dyta në fazën me grupe të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Kalendari ka vendosur Laçin përballë Tiranës. Në letër, kryeqytetasit duken favoritë, por për Ilion Likën nuk duhet bërë asnjë nënvlerësim. “Duhet të fitojmë sa më shpejt takimet e nevojshme për të kaluar fazën në grupe dhe më për të mos u sforcuar në një apo dy ndeshjet e fundit. Laçi ka një skuadër shumë të mirë dhe këtë e tregon kampionati që po bën, por ne jemi Tirana dhe kemi për detyrë që të marrim tre pikët edhe në këtë takim.”
Gardiani Lika bën edhe një parashikim për ecurinë bardheblu në këtë kampionat. Sipas tij, ritmi është ai i duhuri. Duhet vetëm më shumë përqëndrim që të mos lejojë asnjë moment shkarjeje në fushën e lojës. “Tirana ka treguar se është skuadra më në formë. Për mendimin tim, nëse ecim kështu dhe rritemi nga ana e përqëndrimit, nuk do të ketë rivalë që të na ndalojë në rrugën tonë drejt titullit kampion. Natyrisht që kampionati është ende i gjatë, por unë besoj te forca e kësaj skuadre.”
Në fund, Lika shpreson që të zgjidhet edhe ngërçi ekonomik dhe pas takimit me kryebashkiakun Basha, për të gjithë lojtarët e Tiranës duket se ka një dritë në fund të tunelit. “Ishin muaj të mbushur me pasiguri sepse nuk e denim se çfarë do të ndodhte. Megjithatë, tani jo vetëm unë, port ë gjithë çunat besojmë se do të jetë vetëm çështje ditësh që situata të normalizohet,” e mbyll prononcimin e tij gardiani i 24 herë kampionëve të vendit.