Josip Kuzhe: Duka m’u lut që të qëndroja
Ish-trajneri kroat i kuqezinjve tregon për gazetën “Jutarnji” tratativat e fundit me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithashtu, ai konfirmon se nuk kishte ndërmend që të qëndronte në Shqipëri edhe për dy sezone
Nuk është mbushur ende një javë që Josip Kuzhe është larguar nga detyra e përzgjedhësit të kombëtares së Shqipërisë, megjithatë situata e tij vijon të lakohet në mediat kroate. Vetë trajneri konfirmon se tratativat e fundit e zhvilluara me presidentin Armand Duka kanë qenë në një sens të vetëm, me federatën shqiptare që kërkonte rinovimin e Kuzhes. Megjithatë, ky i fundit pranon se nuk kishte ndërmend që të qëndronte më në Shqipëri. Tre vite për të ishin të mjaftueshme dhe se nuk kishte ndërmend që të shpenzonte edhe dy vite të tjera në këtë aventurë, pavarësisht se nuk e mohon afeksionin e tij me lojtarët apo edhe tifozët.
Nuk jeni më pjesë e Shqipërisë. Përse?
Sepse dola në përfundimin që nuk kishte kuptim që të qëndroja pesë vjet në të njëjtin ekip, pasi për mua kaq vjet janë shumë. Gjashtë muaj më parë, presidenti Duka më tha se për të nuk kishte rëndësi fakti se kontratës po i vinte fundi.
Kështu u ndatë me një marrëveshje prej xhentëlmenësh të enjten...
Unë qëndrova për një sezon eliminator në Shqipëri. Ata ishin seriozë dhe kërkonin me ngulm që ta mbyllnin këtë punën e trajnerit. Presidenti një javë më parë m’u lut: “Mos u nxito, do ta peshojmë këtë punë, do të flasim”. Gjithsesi, nuk do të kishte kuptim që unë të qëndroja më si trajner i Shqipërisë.
Ju thoni se vendi ishte vërtet i këndshëm.
Ata të gjithë më adhuronin mua. Kisha një marrëdhënie të shkëlqyer me lojtarët, të cilët bënë deklarata publike në favor të qëndrimit tim. Fansat ishin plot respekt dhe kërkonin korrektesë nga lidershipi i federatës karshi meje.
Jeni në kërkim të një pune në një klub?
Nga Tirana vijnë zëra se unë kam diçka në dorë, por nuk është kështu. Ka shumë të dhëna, por asgjë konkrete. Është e vërtetë se dua që të punoj në një klub dhe eksperienca ime do të më ndihmonte shumë.
Kroacia nuk e di ende nëse do të kualifikohet për në Euro dhe kjo e bën pozitën e Biliç-it të paqëndrueshme?
Jam fans i Kroacisë, por deri më 1 janar jam i punësuar nga Federata Shqiptare. Unë nuk e kam me nxitim. Nëse ndodh ndonjë gjë, më mirë.
Deklarata e Kuzhes pas takimit me Dukën
E kisha përgatitur veten për largimin
Nuk ka qenë shumë i befasuar Josip Kuzhe për largimin e tij nga detyra si trajner i kombëtares së Shqipërisë. Pas përfundimit të takimit me presidentin Armand Duka, Kuzhe është shfaqur i qetë dhe ka thënë pak a shumë të njëjtat gjëra që pat deklaruar disa çaste më parë edhe ish-punëdhënësi i tij. “Pata një takim me presidentin Duka dhe vendosëm të mos e vazhdojmë më bashkëpunimin tonë sepse të dyja palët menduam se kështu do të ishte më mirë. Unë kam rrugën time. Federata ka menduar se është një epokë e re dhe se ka vendosur që të gjejë një trajner të ri,” deklaroi ish-trajneri kuqezi. Në fund, ai pranon se lajmin i largimit nuk e priste si diçka të madhe dhe se të ardhmen e sheh në krye të ndonjë klubi. “Kisha kohë që e përgatisja veten për këtë. E ardhmja ime është futbolli, më pëlqen që të punoj me një klub dhe do ta shohim,” përfundoi Kuzhe.