E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’jepen detaje rreth vdekjes së Simonçelit

I lindur në Katolika, Marko do të varroset në Koriano, aty ku dhe jetoi për shumë vite

Italia mban zi për Marko Simonçelin. Në qytetin e tij të lindjes, shumë njerëz janë grumbulluar në sheshin qendror, duke lënë lule dhe shënime personale për pilotin e ri, duke i bërë nderime njeriut që ata e cilësojnë si heroin e tyre. Performancat karizmatike të Simonçelit janë shuar në Sepang, në një circuit të dashur për të, por që u bë fundi i një karriere premtuese. 24 vjeçari nga Katolika, por që jetonte në Koriano, kishte zgjedhur jetën e rrezikut mbi dy rrota që i vogël. Sic, ashtu si e thërrisnin të gjithë, pasi kurorëzohet kampion europian në 125, debuton në botëror me Aprilia, në Brno. Sukesi i parë për 2004, vjen në Spanjë, e më pas kalimi në 250 në vitin 2006, me Gilera. Tre sezone dhe në 2008 mbërrin në botëror me 6 fitore, triumf që i hap në 2010 dyert e MotoGP, ku spikat për shpejtësinë e garimit. Por gara e parafundit e 2011 është finishi i pamenduar për Simonçelin. Autopsia mbi trupin e pilotit italian është kryer, por ende nuk janë publikuar shkaqet e aksidentit. Sistemi elektronik mund ta ketë regjistruar rrëshkitjen e gomës së prapme si anomali, edhe pse piloti i Hondas nuk e ka lënë motorin të rrëzohet plotësisht. Pavarësisht aktivizimit të airbag në tuta, është e pamundur të mbrohet truri në rast shkeljeje, ndërsa në pritje të konfirmimeve, dyshimet vazhdojnë të mbizotërojnë në aksidentin që i mori jetën Simonçelit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›