Lika, gardiani shqiptar i B93 Kopenhagenit“Tashmë kam fituar përvojë si portier, - tha 18-vjeçari i talentuar, Geri Lika, portieri i B93 Kopenhagen U-18 dhe një nga gardianët e Kombëtares U-19 të Shqipërisë.

Portierët shqiptarë vazhdojnë të lënë gjurmët e tyre në Europë, madje “gardianë” të rinj po rriten profesionalisht në ambientet sportive të tyre. Samir Ujkani i formuar në akademinë e Anderlehtit (U-19) në Belgjikë, përpara se të transferohej te Palermo në Itali (Seria A), tashmë në forcë te Novara (Seria C1), është përfaqësuesi më tipik, por emra të tjerë si Enea Koliqi (Iraklis) dhe Stiv Frashëri (Aris), apo dhe më të rinj si Xhino Sejdo(Venecia U-19), Deljan Bregasi (Sampdoria U-19) po i japin një dimension rinor e të sigurt ardhmërisë së “katërkendëshit” shqiptar.
Një emër tjetër që po përmendet vazhdimisht, si një portier i talentuar është dhe ai i Geri Likës, i cili mbron fanellën e B93 Kopenhagen në Danimarkë. Më parë, Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC), Arben Kasolli (me disa skuadra në Greqi e Holandë), të cilët kanë qenë disa nga pionierët e “gardianëve” shqiptarë në Europë, kanë luajtur me sukses në kampionatet europiane, ashtu sikundër janë aktivë edhe portierët aktualë të Kombëtares shqiptare A dhe të moshave (U-17 deri U-21): Arjan Beqaj (Anothosis Famagusta, Qipro), Isli Hidi (Krivbas, Ukrainë), Ilion Lika (Terek Grozni, Rusi).
“Tashmë kam fituar përvojë si portier, - tha 18-vjeçari i talentuar, Geri Lika, portieri i B93 Kopenhagen U-18 dhe një nga gardianët e Kombëtares U-19 të Shqipërisë. “Kam luajtur me ekipin tim dhe jam stërvitur rregullisht me ekipin e parë të klubit. Besoj se kam bërë paraqitje të pëlqyeshme, ndërkohë që jam ndjekur edhe nga menaxherë të huaj, të cilët në bashkëpunim edhe me agjencinë “Vata Vision Football Management”, janë duke më krijuar mundësinë për një testim te ekipet e moshave të Ajaksit. Kam luajtur kundër Ajaksit U-18 dhe u mundëm 1-0, me një gol të realizuar me penallti tyre”, - shton Lika, i bindur se e meriton një provë te një prej akademive më prestigjioze në botë dhe e njohur për trajtimin profesional të të rinjve të talentuar.
“Një alternativë e hapur mbetet edhe Silkeborgu, atje ku luan mbrojtësi Renato Arapi, por edhe Olimpiakosi në Greqi, atje ishte para tre sezonesh Jahmir Hyka e Hansa Rostiku në Gjermani, shto edhe ekipin Galipoli në Itali. E ndjej se është koha të lëviz e të ndërroj ekip”, - përfundon Geri Lika.
E Shtune, 08 Gusht 2009