Lika, për rekord kundër Apolonisë

ASA (Albania Sport Agency)- Trajneri i Partizanit, Hasan Lika është shfaqur entuziast për gazetarët edhe pse tekniku përgjithësisht është i ftohtë. Tekniku i kuq nuk e ka fshehur faktin se formacioni i tij është i gatshëm të luftojë për të dy trofetë sezonalë, teksa vetëm disa javë më parë opsioni i vetëm i realizueshëm konsiderohej vetëm Kupa e Shqipërisë.
Partizani është i vetmi ekip që ka marrë pikë të plota në fazën e tretë duke kryesuar kështu dhe një renditje specifike, nëse klasifikimi do të bazohej mbi rezultatet e kësaj faze. Në pesë takimet e para, Partizani ka shënuar 11 gola duke pësuar vetëm 2 të tillë, një nga Kastroti dhe një nga Besa.
Partizani synon te vendosë një rekord sezonal me një seri prej gjashtë fitoresh rresht në kampionat, kur të shtunën do të jetë përballë Apolonisë së vendit të fundit dhe mungesa të rëndësishme në vijën sulmuese.
Trajneri Lika do i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion kundrejt një Apolonisë së Markos, që do të mbërrijë nga ana e sja me tre lojtarë të pezulluar: Maringlen Shoshin, Blerim Sinanin dhe maqedonasin Aleksandër Jakimoviskin, autori i golit të dytë të fierakëve në fitoren 2-1 me Luftëtarin, por dhe sulmuesin Denis Mema, për shkak dëmtimi.
Gjithsesi dhe Partizani, që pas Apolonisë modeste do të përballet në javën e 29 me një nga rivalët për vendin e dytë, Teutën e Durrësit, vuan nga sindromi i kartonave të verdhë dhe një ndëshkim i Bakaj apo Dhëmbit me karton të verdhë në ndeshjen me Apoloninë do t'i hiqte Likës dy nga lojtarët më të mirë të skuadrës në dy ndeshjet e ardhshme me Teutën e Starovës (me të cilën do të përballet edhe të mërkurën e ardhshme në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë) por dhe në takimin e javës së 30, me një tjetër protagonist, Vllazninë.
Partizani fitoi takimin hapës të fazës së parë në kryeqytet me rezultatin e ngushtë 3-2, ku anësori sulmues, Gjergji Muzaka realizoi dhe golin më të shpejtë të kampionateve shqiptare në vetëm 8 sekonda lojë. Muzaka ka shënuar dy gola në dy takime kundër Apolonisë.
Apolonia e cila drejtohet nga trajneri i tretë sezonal, Andrea Marko, pas rumunit Silviu Dumitresku dhe fierakut Dhimitër Papuciu , humbi në fazën e dytë me të kuqtë e Likës me rezultatin
Në 53 takime të luajtura midis tyre, Partizani ka regjistruar 34 fitore, 12 barazime dhe 7 ndeshja janë fituar nga Apolonia, me një golaverazh të dukshëm në favor të Partizanit me 148 gola të shënuar dhe 46 të pësuar
PESË FITORET RADHAZI TË PARTIZANIT
Java 23, Partizani-Kastrioti 4-1
Java 24, Flamurtari-Partizani 0-2
Java 25, Partizani-Elbasani 1-0
Java 26, Dinamo-Partizani 0-2
Java 27, Partizani-Besa 2-1