Limaj: Nuk do të jem pjesë e kabinetit
Ministri i deritashëm i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e kabinetit të ri qeveritar.
Ai ka dalë në një konferencë për media, ku ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme, derisa nuk përfundojnë hetimet ndaj tij.
“Për një kohë të gjatë është folur të kemi një qeveri të pastër, që mendoj se është shumë e rëndësishme për Kosovën. Ju e dini se njeri më i përfolur në këtë vend jam unë. Se si ka ardhur deri te kjo, unë nuk e di. Para vetës e ndjej një obligim për 75 mijë njerëzve që më kanë votuar. Duke konsideruar se mbi të gjitha Kosova dhe asgjë tjetër, duke ofruar mundësi që vendi ynë të ec në integrimet euroatlantike, unë kurrë nuk do të jem barrë për vendin tim. Hetimet që janë duke u zhvilluar për Ministrinë e Transportit dhe përderisa vazhdojnë ato hetime, unë nuk do të jem pjesë e Qeverisë së Kosovës”, ka deklaruar Limaj.
Por ai ka theksuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, sepse këtë e ka obligim para 75 mijë votuesve të tij.
Limaj është shprehur se MTPT-ja ka qenë ministria më e suksesshme.
Ai ka shfaqur besimin që ky rast nuk do të përdoret në mënyrë selektive dhe që raste të tilla të mos përdoren për të eliminuar nga skena politike, njerëz që kanë kontribuar shumë për vendin.