Demaçi sfidon Pacollin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë një test të vështirë të hënën, kur pritet të mbahet seanca e parë e legjislaturës së re e ku, sipas paralajmërimeve, do të votohet edhe për presidentin e ri në vend. Para vetes do të kenë dy kandidatë për president: Behgjet Pacollin dhe Adem Demaçin.
Për Pacollin ka vendosur marrëveshja e koalicionit, kurse për Demaçin kanë vendosur partitë opozitare.
Nga burime të besueshme të portalit ‘Qendra.info’, mësohet se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe parti tjera që nuk janë përfshirë në koalicion me PDK-në, kanë vendosur që të propozojnë për postin e presidentit të Kosovës, veprimtarin e dalluar Adem Demaçin. Marrëveshja mësohet se është arritur sot në mes të AAK-së, VV-së, kurse thuhet se përkrahje për Demaçin do të ketë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një pozitë të pavolitshme në këtë rast do të gjenden deputetët e PDK-së. Më parë është paralajmëruar në media se një numër i deputetëve të PDK-së nuk do të votojnë për Pacollin president, e që me kandidimin e Demaçit mund të votojnë për Adem Demaçin.
Adem Demaçi, veprimtar i njohur i çështjes shqiptare, ishte burgosur shumë herë nga regjimi serb. Ka mbajtur rreth 30 vjet burg, njihet si mendela e Evropës. Pasi u lirua nga burgu ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për Mbrojtjen e Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte (2005-2007) kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. (Qendra.info)