Sot votohet për presidentin dhe Qeverinë?
(E plotësuar) Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thirrur për orën 13 mbledhjen e Kryesisë së re të Kuvendit.
Kryesia do të shqyrtojë kërkesën e AKR-së për futjen në rend dite, në seancën e ardhshme, zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ndërsa kandidat i vetëm është Behgjet Pacolli.
PDK, deri në këto momente, nuk ka deponuar ndonjë kërkesë, për futjen në rend dite të votimit të kabinetit qeverisës.
Burimet e Express-it konfirmojnë se Thaçi është duke i bërë konsultimet e fundit me zyrtarët e partisë së tij dhe duke i koordinuar deputetët për votimin e presidentit, pasi dështimi i zgjedhjes së Pacollit do ta qonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
Seanca fillon në ora 15.
Lëvizja “Vetëvendosje” ka paralajmëruar se do të votojë kundër kandidaturës së Pacollit për president dhe kundër kabinetit të propozuar nga Thaçi.
AAK-ja ka njoftuar se do të marrë pjesë në seancë, por nuk do të marrë pjesë në votim.
Ndërsa LDK ka thënë se nuk ka kandidat për president, porse nuk ka vendosur ende se çka do të bëjë gjatë votimit.
Krasniqi rizgjidhet kryetar i Kuvendit
Jakup Krasniqi është rizgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, me shumicë votash.
Krasniqi, i cili është propozuar nga partia më e madhe në Kuvend – PDK, ka marrë mbështetjen e 90 deputetëve, kundër kanë votuar 17 deputetë, kurse 3 deputetë kanë abstenuar.
Ndërsa nënkryetarë të Kuvendit janë zgjedhur Xhavit Haliti (PDK), Sabri Hamiti (LDK) dhe Glauk Konjufca (Vetëvendosje).
Gjithashtu Petar Miletiq dhe Enis Kervan janë zgjedhur nënkryetarë nga partitë e komuniteteve.
Betohen deputetët
Deputetet e legjislaturës se re te Kuvendit te Kosovës janë betuar.
Deputetët e lëvizjes "Vetëvendosje", gjate betimit kanë nxjerr përpara flamurin kombëtar.
Në vazhdim te seancës, në rend dite janë zgjedhja e kryetarit dhe e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka propozuar Jakup Krasniqin për kryetar të Parlamentit të ri të Kosovës.
Filloi seanca
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ulur në karriget e tyre dhe tash ka filluar seanca konstituive.
Seanca po drejtohet nga Flora Brovina dhe Biserka Kostic.
Aktualisht është mbledhur komisioni i përkohshëm për verifikimin e kourumit dhe deputetët tjerë kanë një pauzë prej dhjetë minutash.
Pas verifikimit të kourumit, seanca vazhdon me pikën tjetër të rendit të ditës - verifikimin e mandateve.
Ndërkohë, mandatari për formimin e Qeverisë së re e ka shtyrë konferencën e paralajmëruar më parë. Mendohet se Hashim Thaçi do të dalë para gazetarëve pas betimit të deputetëve, ku mund të shpalos emrat e ministrave të rinj.
Ende mbetet e paqartë nëse do të votohet sot për Presidentin dhe Qeverinë e re.
Thaçi shpalos emrat e ministrave
Mandatari për krijimin e Qeverisë së re, Hashim Thaçi, pritet nga çasti në çast që t’i publikojë emrat e ministrave të rinj.
Zyrtarë të PDK’së kanë paralajmëruar një konferencë për media të Thaçit për orën 10:30, por konferenca ende nuk ka filluar.
Nga orët e parë të mëngjesit të sotëm, Kryetari i PDK’së ka qenë në mbledhje me grupin e tij parlamentar. Mbledhja është mbajtur në ambientet e Kuvendit të Republikës.
Aktualisht deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke hyrë në sallë. Në ora 11:00 fillon seanca konstituive.
Vështirësi në PDK
Hashim Thaçi ka lidhur marrëveshje zyrtare për ndarje të pushtetit me partnerët e koalicionit, por ende nuk është i gatshëm të dalë para votave të Kuvendit të ri të Kosovës për shkak se akoma nuk i ka caktuar emrat e ministrave nga radhët e PDK’së.
Megjithëse lideri i PDK’së është i mandatuar nga partia e tij që vetë të vendosë për emrat e ministrave, mbrëmë, në mbledhjen e Kryesisë kjo çështje nuk është përmbyllur.
Gjithashtu, burime të gazetës Express thonë se në Grupin parlamentar të PDK’së ende nuk janë siguruar të gjitha votat për kandidatin për president, Behgjet Pacollin e AKR’së.
Mirëpo, zyrtarë të PDK’së deklarojnë se në mbledhjen e mbrëmshme nuk është hapur tema e emrave të ministrave, por takimi është përqendruar “në disa procedura”.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Jakup Krasniqi ka thënë se takimi i Kryesisë do të vazhdojë sot në mëngjes, disa orë para fillimit të seancës inauguruese të Parlamentit.
“Është biseduar, por asgjë konkrete nuk është vendosur. Nesër jemi marrë vesh konkretisht me bisedu. Nuk është biseduar për emrat e ministrave, më shumë është biseduar për disa procedura sesa për emra”, ka thënë Krasniqi për Express.
Krasniqi thotë të mos jetë në dijeni nëse ka ndonjë mospajtim brenda PDK’së rreth ndarjes së posteve ministrore.
“Me të thënë të drejtën, me sa di unë, mund të ketë ndonjë që unë nuk e di, por nuk është biseduar. E kemi lënë për mbledhjen e nesërme të bisedojmë edhe një herë dhe pastaj me i këqyrë procedurat”, ka thënë ai.
“Na duhet sqarim i disa procedurave për nesër”, ka shtuar Krasniqi, pa treguar se për çfarë procedurash bëhet fjalë.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...