E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj dhe e vërteta e një gjyqi politik

Milaim Shefkiu

-Pas një odisejade seancash, skenash e akuzash gjyqësore, deputeti dhe ish-komandanti i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, dhe bashkëluftëtarët e tij dolën të pafajshëm, në atë që tashmë e disa muaj opinioni në Ballkan e njeh si “rasti Kleçka”. Kjo natyrisht ishte beteja më e vështirë e komandant Çelikut, pas procesit gjyqësor në Hagë, ku ishte po ashtu i akuzuar për krime lufte, por edhe atje doli i pafajshëm. 

Edhe Limaj, sikurse proverbi i Nasradinit, doli i pafajshëm, por deri te pafajësia i kaloi nëntë rrathët e Dante Aligerit. Ndërsa shumëkush ia zuri për të madhe kur i dolën lotët gjatë mbrojtjes në gjyq, duke besuar se lotët e tij ishin nga mplakja e gjenit burrnor. Secili qytetar tashmë e ka kuptuar se tri vitet e fundit, veçanërisht, Limajn e kanë shkatërruar si politikan, si luftëtar edhe si intelektual e familjar. Njeriut i është shkatërruar jeta, duke u përballur me një proces që tashmë pa hezitim mund të konsiderohet i fëlliqur e i veremosur. Disa herë u lirua për 2-3 ditë, u arrestua sërish, u mbajt në burg shtëpiak, iu kufizua liria. Loja me të dhe me bashkëluftëtarët e tij, ishte një lojë sikur “Tomy dhe Jerry”, ndërsa në fund Gjykata e dëshmoi atë që e ka besuar shumëkush, se gjithçka ishte e pastër. UÇK, ndërkaq ka edhe një betejë gjyqësore para vetes. Është gjykimi i rastit të “Drenicës”, për të cilën me të drejtë besohet se epilogu do të jetë si ky për rastin “Kleçka”. Ndërsa, për Fatmir Limajn akoma nuk përfundon lufta me gjykatën. Ai e ka edhe një betejë, atë për korrupsion, e cila gjithashtu do ta sprovojë me të vërtetat ato trillimet e prokurorisë së EULEX-it. Me siguri në këtë proces ish-ministri i Transportit nuk do ta ketë mbështetjen e popullit, sikurse që e kishte në të kaluarën, sepse fundi i fundit, është çështja e tij nëse ka vjedhur apo jo.

Ndërsa një çështje tjetër që e pret atë, është lufta politike, të qëndrojë në partinë që e ka krijuar si politikan - PDK, apo t’i bashkohet kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, njeriut, që në një mënyrë u bë “kurban për të”.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›