Litari jashtë, që duhet këputur
Arben Rrozhani
-Në 29 janar 2011, “Shekulli” hapej me një kopertinë-simbol: 11-vjeçarja Ana Veizi, vajza e Ziver Veizit, me lotin që i rrëshqiste në faqen e majtë. Ishte fiksuar një javë pas vrasjeve te kryeministria nga garda e Republikës, kur mijëra qytetarë dhe familjarë të katër viktimave të vrarë me gjakftohtësi dhe paramendim, përkujtonin masakrën shtetërore. Titulli i gazetës ishte simbolik: “Ana pret drejtësi”.
Dje drejtësia foli: shpërbleu dy nga vrasësit e dyshuar nga Prokuroria e Përgjithshme, ish-komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe ish-komandantin e “grupit të zjarrit” Agim Llupo. Prokuroria kishte kërkuar shumë pak, vetëm 48 vite burg për katër burra që u vranë jashtë rrethimit të selisë së kryeministrisë. Gjykata dha vetëm 4 vite dhe me llogari ditësh paraburgimi dhe arresti shtëpiak, të akuzuarit duhet të dëmshpërblehen nga shteti shqiptar për burgim të padrejtë.
Edi Rama, kryeministër prej katër ditësh, e shembi me buldozer rrethimin te selia e qeverisë, atë vijë të kuqe që ishte bërë “casus belli” që Garda të motivonte plumbat direkt e mbi mish njeriu. Por sa qesharak ngjan ky truk estetik, përballë rrethimit që qeveria e re ka me ata që ngritën mure dhe vranë për to dhe që sërish vranë dje në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Jemi në mes të shtatorit 2013. Lotët nuk janë tharë ende, dhimbja nuk është shuar, por është shtuar, pas çdo vendimi që (pa)drejtësia në gjykatat shqiptare jep për vrasjet e pushtetit të ikur me votë.
Gjyqtarët e djeshëm, që dhanë atë vendim të turpshëm janë pjesë e rrethimit të ngritur me urgjencë pas votës plebishitare të 23 qershorit. Hunjtë e shtrembër të shtetit shqiptar, janë ngulur thellë në themelet e partisë-shtet që ngriti rregjimi i kaluar vrasës që drejtësinë e kishte vetëm si armë për të bërë padrejtësi. Si ajo e djeshmja. Madje më keq. Ndërsa pasdite do të jepej ai verdikt që rivret viktimat dhe familjarët e tyre, një institucion i lartë si KLD-ja, dje paradite, përpiqej të ngrinte diga të reja, që vetëm drejtësi të mos ketë në këtë vend, që qeverisja e re të mos ketë asnjë mundësi ligjore, që të vendosë në vend padrejtësitë e mëdha që janë bërë me këtë popull këto tetë vitet e shkuara. Kjo KLD e komanduar në shumicë nga pushteti i rrëzuar me votë popullore, vendosi dje që të shkrijë Inspektoriatin e Ministrisë së Drejtësisë, duke ia lënë të gjitha atributet KLD-së së PD-së, ndërsa ministrit të ri Nasip Naço, çelësat e kashtës.
Ky është litari që ka lënë jashtë pushteti i varrosur nga vota e 23 qershorit. Ai që shpall të pafajshëm në të njëjtën ditë gjyqtarin që për disa vite nuk zbardhi vendimin për një vrasës që bëntë ligjin në zonë derisa vrau edhe komisarin që kryente detyrën. Ai që bën anëtar të gjykatës së Apelit eprorin e këtij gjyqtari dhe që dje lexonte pa pikë dhimbsurie njerëzore dhe etikë profesionale vendimin që shpallte të shpërblyer dy ushtarakë që akuzohen se kishin ekzekutuar me gjakftohtësi katër shtetas, po edhe 40, 400, apo 4000 po të mundnin.
Ky është rrethimi që duhet të shkulet nga sot, jo me një buldozer, por me gjithë makinerinë e shtetit ligjor që është premtuar para 23 qershorit. Të shkojë para drejtësisë urdhërdhënësi, edhe nëse ai sot është ai deputeti i thjeshtë që bën hiperpensionistin politik të vendit, atë kryetarin e bashkisë që bën hiperkryebashkiakun dhe hiperopozitarin, ata dhjetra urdhërzbatues në radhët e gardës së republikës dhe të Policisë së Shtetit, ata hipergjyqtarë që janë majmur me gjakun dhe djersën e mijëra shtetasve të nëpërkëmbur në dyert e (pa)drejtësisë. Nëse nuk bëhet kjo, kjo qeveri më mirë le ta ngrejë sërish atë rrethim, le ta lartësojë deri te dritarja xhamblinduar prej nga jepeshin urdhërat për vrasjet politike në emër të pushtetit dhe të pastaj të presë e qetë përgjigjen e një popullit të tradhëtuar. Ana pret drejtësi. Dhe jo vetëm ajo.