Limonët e shtrydhur
Nën këtë titull dëshiroj të trajtoj investimin, sakrificat dhe flakjen e atyre që janë të aftë dhe mund të shërbejnë për sigurinë në përgjithësi.
Me siguri në përgjithësi, nuk kuptohet vetëm ajo që njihet rëndom në vendin tonë si siguri ushtarake, shtetërore apo kombëtare, por gjithë spektri i gjerë i sigurisë.
Me njerëzit që janë të aftë në njohjen dhe trajtimin e sigurisë në përgjithësi, kuptohet, ndër të tjera një pjesë e mirë e ushtarakëve shqiptarë, të cilët paradoksalisht, sa e njohin dhe dinë ta trajtojnë sigurinë, aq edhe të pasigurt janë.
Sikur ata që studiojnë sigurinë, ta ndienin atë ashtu si poetët ndiejnë dashurinë, ahere siguria do të ishte ndjenja më e fuqishme.
Drejtuesit e këtij vendi të varfër dhe me shumë probleme sociale, duhet jo vetëm të mendojnë, por edhe të ndiejnë. Çdo e keqe e ka një të mirë. Në vendin tonë, ata që e studiojnë dhe dinë ta trajtojnë edhe praktikisht sigurinë, nga siguria individuale e deri tek ajo globale, për fat të keq ndihen vetë të pasigurt.
Çdo emërtim të sjell ndër mend një përfytyrim konkret. Gjithkush, për emërtimin ushtarak ka një përfytyrim të caktuar, duke filluar mbase nga liderë të ngrehur e të stolisur, nga strategë që bëjnë luftë, nga uniforma që shfaqen tribunave e ekraneve, e deri te njerëz të thjeshtë që lëvizin me uniformë rrugëve në hall të tyre, apo të afërm e familjarë.
Uniforma dhe emërtimi ushtarak ka karakter përgjithësues, aq sa edhe ironikisht fjalët ushtri, rresht, zbor, përdoren për të treguar uniformitetin asnjëherë të dëshiruar.
Karakteri përgjithësues është një nga problemet më të mëdha në konceptimin e ushtarakut, sepse vështirëson ndarjen e shapit nga sheqeri.
Në pamundësi për të përgjithësuar, ose futur në një thes, të gjithë ushtarakët shqiptarë, po përpiqem të rrëfej shkurtimisht, vetëm në dy aspekte, se kush është një ushtarak shqiptar.
Së pari, është një individ, i cili qysh në momentin që ka hyrë në ushtri, është i gatshëm për të dhënë edhe jetën, 24 orë në 24.
Pra, pavarësisht regjimit të kaluar, apo kohës së tranzicionit, ushtaraku mund ta falë jetën, me një fjalë goje, me një urdhër të eprorit të tij të drejtpërdrejtë.
Dikur kjo motivohej për të mbrojtur atdheun, tashti motivohet në emër të solidaritetit, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, apo praktikisht edhe për arsye të fukarallëkut dhe pamundësisë për gjetjen e rrugëve të tjera të jetesës.
Në asnjë profesion tjetër nuk mund të falet jeta kaq thjesht, ligjërisht dhe legjitimisht, sa në profesionin e ushtarakut.
Së dyti, për ushtarakun është bërë një investim i jashtëzakonshëm, nga shteti ynë dhe vende të përparuara mike, për edukimin, arsimimin dhe trajnimin profesional. Arsimimi universitar dhe pasuniversitar për një oficer shqiptar mesatarisht luhatet nga gjashtë deri në dhjetë vjet.
Edukimi më cilësor në këto vite është kryer në akademi dhe kolegje me prestigj ndërkombëtar.
Parë nga këto dy aspekte, mund të thuhet se shoqëria shqiptare te ky kontingjent ka një aset të çmueshëm: të gatshëm për të dhënë jetën dhe profesionalisht të mirëedukuar.
Mirëpo, fakt është që ushtarakëve, shpesh në kulm të aftësive, mundësive dhe përvojës së tyre profesionale, u hiqet e drejta e ushtrimit të diplomave dhe profesionit, flaken tej, si limonë të shtrydhur, duke u mohuar çdo mundësi riciklimi dhe vetëriciklimi.
Profesioni i tyre është të prodhojnë siguri dhe siguria prodhohet kryesisht në institucione shtetërore dhe jo duke dalë i vetëm në treg.
Kjo pasojë negative, si për shoqërinë në përgjithësi, ashtu edhe për ushtarakët ka shkaqe të shumta.
Një nga shkaqet është prejardhja e ushtarakëve, kryesisht nga shtresa të varfra dhe të mesme të shoqërisë dhe pamundësia për të gjetur burime dhe mjete alternative jetese. Kjo i bën ata më të bindur dhe më kokulur se çduhet.
Një shkak tjetër është edukata e marrë, me nuanca të forta paternaliste, duke besuar dhe pritur gjithçka nga shteti. Si rregull i besohet gjithçka shtetit, kur ndihesh mirë brenda karakterit të tij social.
Nuk mund të gjendet ndonjë shtet, as në NATO dhe as në OKB, që ta largojë nga shërbimi vetëm me 100 dollarë në muaj, shtetasin të cilit mund ti merrte jetën për 30 vjet.
Kjo ka pasoja negative jo vetëm për ata që u vjen radha për tu larguar, por edhe për brezat e ardhshëm, tek sa shohin kolegët e tyre më të mëdhenj se si flaken në rrugë.
Sot ushtria ka plot të rinj e të reja, që brenda pak minutave mund ti hipësh në helikopter apo avion dhe ti hedhësh në luftë, në çdo skaj të botës.
Shumë nga këta të rinj janë të përgatitur njëlloj si kolegët e tyre në NATO, por për fat të keq u mungon motivimi dhe shpresa, kur vërejnë se pas pak vitesh do të gjenden si limonë të shtrydhur.
Mbase ky krahasim nuk është plotësisht i saktë, por është shumë më i goditur se krahasimi me majdanozin, në kuptimin e përshtatshmërisë pa kushte, si brenda ashtu dhe jashtë ushtrisë.
Shkak tjetër, për këto pasoja negative janë marrëdhëniet civiloushtarake.
Me marrëdhënie civiloushtarake në këtë rast, nuk kam parasysh marrëdhëniet e popullit me ushtrinë, por marrëdhëniet e lidershipit ushtarak me drejtuesit e lartë civilë, në zinxhirin e komandimit.
Përcaktimi i qartë dhe zbatimi rigoroz i statusit, kompetencave dhe përgjegjësive të lidershipit ushtarak, në raport me drejtuesit e lartë civilë, (ministër mbrojtje, kryeministër, president), do ti jepte frymëmarrje veprimtarisë së shëndetshme në Forcat e Armatosura.
Forcat e Armatosura kanë misionin e tyre kushtetues, për përmbushjen e të cilit u duhet, ndër të tjera, personel i aftë e i motivuar dhe mbështetje logjistike e financiare. Është përgjegjësia e lidershipit ushtarak të menaxhojë personelin e nevojshëm dhe buxhetin e duhur, në interes të realizimit të misionit kushtetues.
Thënë më ndryshe, është përgjegjësi e ushtarakëve të përcaktojnë si do të trajnohet, motivohet dhe promovohet personeli dhe sa para duhen shpenzuar për arsimim, modernizim, rikonstruksione, apo gjithçka tjetër.
Aktiviteti i tyre monitorohet nga autoritetet civile, të cilat nuk duhet të bëhen palë në vendimmarrjet që u takojnë ushtarakëve. Pështjellimi i këtyre raporteve dhe kompetencave çon në veprime absurde, si p.sh, nxjerrja në lirim e dikujt pa mbaruar mirë shkollën; ndryshimet e shpeshta, të pamotivuara dhe me kosto të jashtëzakonshme të strukturave; fryrjen e disa institucioneve ushtarake pa asnjë motiv, etj.
Cila është zgjidhja?
Brenda racës së ushtarakëve lipset më tepër mirëkuptim dhe mendim kolegjial, veçanërisht te lidershipi ushtarak, më tepër besim dhe mbështetje te njëri-tjetri. Ndjenja e munguar
