Një shpresë e rremë tek Jagoja i Berishës
Ka një përpjekje të njerëzve të larguar nga Partia Demokratike të justifikojnë mungesën e zgjedhjeve të lira në PD dhe faktin që Lulëzim Basha u shpall kryetar pa qenë nevoja me një proces të pashembullt manipulativ. Për të u thirrën të votojnë një trupë speciale, u intimiduan strukturat në fushatë dhe në fund u detyruan të votojnë me votë të deklaruar përmes numrit rendor në fletën e votimit. Ky deformim, të cilin pati më në fund kurajë ta bëjë publik dhe Olldashi, është i pashembullt jo se është shumë i djallëzuar, por se është shumë flagrant, shumë i trashë, shumë pa fantazi dhe që imiton arrogancën e njeriut që do të rrëmbejë diçka dhe jo seriozitetin e njeriut që kërkon të zgjidhet.
E kam thënë dhe më parë se nuk kishim asnjë dyshim që Lulëzim Basha do ishte kryetar. Nuk jam lëkundur asnjëherë nga ky mendim dhe kur shumë miq të mi më kanë thënë se është garë reale dhe nuk i dihet. Dhe dy kanë qenë arsyet. E para, se Lulëzim Basha ishte i emëruari i Berishës dhe e dyta se në atë parti nuk zbatohen kurrë rregullat e lojës.
Por çfarë po ndodh tani?
Shikoj një sërë figurash të respektuara të Partisë Demokratike, të cilët janë larguar ose anashkaluar nga ajo parti për mungesë të rregullave të lojës, të shpresojnë se ndryshimi i paligjshëm i lidershipit do prodhojë ligjshmëri në të ardhmen. Besnik Mustafaj, i mënjanuar nga partia për shkak të përpjekjeve të tij për të pasur një personalitet të vetin, tani për shembull shpreson se Lulëzim Basha mund të ketë personalitet në të ardhmen dhe ti vërë kufirin tek thana Berishës. Unë e kuptoj që Mustafaj është duke bërë ironi me Bashën dhe njëkohësisht duke i treguar pazarin e bashkëpunimit në të ardhmen, por politika nuk është vetëm një sinjal kulisash. Do të ishte shumë më e ndershme që Sali Berisha ta emëronte Lulëzim Bashën për dy vjet dhe ai të dëshmonte çdinte të bënte se sa bën atë turp që bëri, duke e njollosur thellë zgjedhjen e tij në atë shkallë sa ai të mos guxojë kurrë të thotë që jam zgjedhur. Kështu së paku në PD vërtet mund të mos fitonim një lider, siç nuk e kemi fituar, por do të kishim të gjallë shpresën për respektimin e rregullave të lojës.
Më i panevojshëm është ditirambi i Preç Zogajt, që e quan Bashën lider të lindur. Them i panevojshëm se ai është një lider i emëruar dhe si i tillë, që kur ka lindur si lider, ka lindur nga Berisha dhe është mbajtur në karrige prej tij. Problemi që vetë Zogaj ka me PD-në është që e heqin nga lista në minutat e fundit se nuk zbatojnë rregullat e lojës dhe sistemin e vlerave. Shpresa e Zogajt se ky lider i lindur, që nuk përfill asnjë rregull formal për tu zgjedhur, do rregullojë më vonë defektet e berishizmit, është po ashtu një kulisë e panevojshme që nuk i bën punë askujt. As vetë Bashës bile.
Edhe Bamir Topi, i fundmi i zbuar nga ajo parti, po hesht. E kuptoj se ai ka neveri të flasë për ish- partinë e tij, por sinjalet mashtruese të Bashës për një të ardhme pa Berishën, i bëjnë të gjithë të bëjnë sikur pranojnë këtë defektin e zgjedhjes dhe shpresojnë tek e ardhmja.
Problemi është fare i qartë dhe mbetet tek mënyra se si ky njeri shmang garën dhe manipulon zgjedhjet. Ai është një burrë që nuk është askund i pari, as në shtëpi, as në Bashki dhe as në parti. Ai është një njeri që nuk vendos dot as për veten e vet. Ai ka vetëm një klauzolë që e nxjerr të pafajshëm, faktin që nuk ka guxim as ti thotë Berishës mos më zgjidh kryetar. Shpresa se ky njeri, i lindur nga një deformim kaq i thellë i demokracisë, do bëhet Jagoja i Berishës dhe pastaj do vendosë demokracinë, është një turp dhe një dorëzim pa arsye para një gënjeshtre që nuk do të zgjasë shumë.
Të larguarit kanë pasur vetëm një problem që lidhej me mungesën e rregullave, dhe nëse tolerojnë atë problem me shpresë se lideri i lindur nga ky deformim do ti shpëtojë nga kjo e keqe, atëherë ata janë dashuruar me xhelatin e tyre.
Shpresa se Lulëzim Basha do të tradhtojë një ditë Berishën, është një shpresë e padobishme. PD ka nevojë dhe për berishistët, dhe për Berishën, dhe për të tjerët, por mbi të gjitha ka nevojë të rivendosë rregullat e lojës që i ka prishur Familja Berisha. Nëse rregullohen ato, PD ka të ardhme, edhe sikur Luli të mos e tradhtojë Berishën. Nëse rregullat mbetën jashtë loje si deri më sot, asgjë nuk e shpëton dot atë parti nga humbja, edhe sikur Luli ta tradhtojë Berishën dhe Familjen e tij qysh nesër.
