E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjaft është mjaft!

mjekeNga Dr. Shk. Arben Zenelaj

Spunto e këtij shkrimi u bë pyetja që një friend në rrjetin social Facebook shtronte për kuptimin e fjalës pehlivan.

Pas rënies së temperaturave elektorale dhe rritjes së atyre stinore, një tjetër lloj temperature ka zënë një pjesë të shoqërisë.

Kjo është temperatura e pushtetit, që ndodh çdo 4 vjet, sa herë ka zgjedhje parlamentare.

Ethet që kapin grupet shoqërore në këtë rast kanë të bëjnë me ethet e pushtetit të humbur dhe atij të fituar.

Nuk e shoh problematike ambicien e grupimeve apo individëve të caktuar për pushtet, kur ai synon të përdoret për të bërë pune të mira.

Ai, pra pushteti, bëhet i rrezikshëm kur përdoret për qëllime të mbrapshta.

Në këtë rast ky pushtet quhet i kapur nga këto grupime, të cilat shfaqen si biznese dhe që synojnë të vendosin njerëzit e tyre në pushtet, dhe kur kjo nuk bëhet e mundur, lëshohen në mësymjen e sponsorizimeve në fusha të caktuara.

Për të qenë më konkret, kur flitet për shëndetësinë, të gjithë e dinë se ka dy sektorë, publik dhe ai privat, të cilat funksionojnë me të mirat e të metat respektive.

Sektori privat ka kontribut pozitiv në shërbim të shëndetit, por nuk mund të pranohet reklamimi jo i vërtetë se kardiokirurgjia, kardiologjia invazive, ortopedia etj, u lindën dhe zhvilluan në sektorin privat.

Jo, këta tip biznesmenësh e dinë mirë se nuk kanë lënë gur pa lëvizur për të dëmtuar, asfiksuar e rrënuar sistemin publik dhe ato private konkurrente.

Për këto lloj lëvizjesh u është dashur koperturë politike dhe drejtues butaforikë të institucioneve shëndetësore publike.  Tashmë që pushteti ndërron duar, këta pehlivanë përpiqen të ndërrojnë padronë, duke u vetëofruar si zgjidhje e problemit, pa e parë veten si pjesë e rëndësishme dhe më e neveritshmja e tij.  Këtyre qerratenjve u duhet treguar vendi nga të gjitha grupimet e tjera, politike, mjekësore e civile.

Mjaft është mjaft!

Nuk mund të ketë institucione shëndetësore publike serioze, kur në dyert e tyre, e aq më keq brenda territorit të tyre, ngrihen ato private.

Kapja e pushtetit prej këtyre lloj pehlivanëve të biznesit duhet të marrë fund përgjithmonë.

Ata duhet të mësohen me rregullin e të barabartit mes të barabartëve, pa kërkuar privilegje që nuk kanë asnjë arsye profesionale apo ligjore që ti kenë duke luajtur rëndë me jetën e pacientëve të trajtuar në institucionet publike.

U përpoqa që në mënyrën time të ndihmoj shokun tim në Facebook për një lloj pehlivani, ju mund të ndihmoni më shumë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›