E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lincoln apo Hitchcock

Muajin e ardhshëm nëpër kinematë europiane do të fillojnë të shfaqen dy filmat që, të paktën sipas parashikimeve të deritanishme, mund të jenë dy konkurrentët kryesorë për çmimin Oscar. Filmat “Lincoln”, i Steven Spielberg, dhe “Hitchcock”, i Sacha Gervasi, qysh tani konsiderohen si realizimet më të mira.

Sipas shumë kritikëve filmik amerikanë, “Lincoln” është filmi më i mirë që ka bërë Spielberg viteve të fundi. Është kjo një dramë biografike e kohës së luftës, në qendër të së cilës është vendosur presidenti i 16’të amerikan, Abraham Lincoln, rolin e të cilit e luan fituesi i dyfishtë i çmimit Oscar, Daniel Day-Lewis, edhe pse ky rol fillimisht i ishte ofruar aktorit Liam Neeson. Ky rol, sipas kritikëve, do të mund t’i sillte Day-Lewis edhe një statujë të vogël të artë.

Sipas producentes, Kathleen Kennedy, transformimi i Day-Lewis në presidentin Lincoln është më tepër se i facinues, kështu që as atij, por as Anthony Hopkins (i cili luan rolin e regjisorit të njohur Alfred Hitchcock, në filmin me po këtë emër) nominimet për Oscar nuk do të duhej t’iu mungonin assesi.

Në këtë kontekst, vlen të përmendet fakti se ngjarja e filmit biografik për kult-regjisorin Alfred Hitchcock fokusohet në problemet e tij afariste dhe private gjatë xhirimit të filmit legjendar “Psycho”. Në film, përpos fituesit të çmimit Oscar, Anthony Hopkins, i cili luan rolin kryesor, shfaqet edhe aktorja britanike - po ashtu fituese e çmimit Oscar - Helen Mirren, e cila luan rolin e gruas së regjisorit, si dhe aktorja e re hollivudiane, Scarlett Johansson, e cila portretizon aktoren e re, Janet Leigh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›